Sipas Maqedoncit, trajnimi është zhvilluar nën udhëheqjen e instruktorëve të Njësisë Kundër Terrorizmit të Policisë Ushtarake Kroate.
Ai ka bërë të ditur se pjesëtarët e FSK-së kanë zhvilluar trajnime praktike në procedurat standarde të intervenimit, luftimin në hapësira të mbyllura (CQB), si dhe ushtrime të qitjes gjatë ditës, natës dhe nga automjetet në lëvizje.

“Këto aktivitete kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e aftësive taktike, ngritjen e gatishmërisë operacionale dhe harmonizimin e procedurave me standardet dhe praktikat e partnerëve tanë”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka theksuar se Ministria e Mbrojtjes mbetet e përkushtuar në thellimin e bashkëpunimit me Kroacinë dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe në forcimin e kapaciteteve të FSK-së.
Burimi: RTKLive




