Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi është regjistruar pjesëmarrje e lartë në votime deri në mesditë, teksa ka raportime për parregullsi.

Sipas Komisionit Republikan Zgjedhor, 34.55 për qind votuan deri në orën 12:00 të 25 tetorit, teksa para qendrave të votimit janë parë radhë të gjata.
Kjo është dalje më e lartë në votime krahasuar me zgjedhjet e vitit 2023, kur deri në të njëjtën kohë kishin votuar 21.33 për qind.
Ndërkaq, misioni vëzhgues i zgjedhjeve, Crta, raportoi se deri në orën 13:00, 41.1 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve kanë votuar. Deri në periudhën e njëjtë kohore në zgjedhjet e vitit 2023, dalja ishte 26.6 për qind.
Edhe në orët e hershme të mëngjesit, pjesëmarrja në zgjedhje ishte më e lartë sesa në votimet paraprake.
Në garë janë 18 lista zgjedhore, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës marrin pjesë të bashkuar përmes listës “Koalicioni Shqiptar”, e cila garon me numrin 17 dhe ka statusin e listës së pakicës kombëtare.
Vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00, ndërsa procesi po zhvillohet në mijëra qendra votimi në gjithë Serbinë.
Këto zgjedhje paraqesin edhe një prej sfidave më të mëdha politike për Aleksandar Vuçiqin dhe kampin e tij në vitet e fundit, pasi përballë tij është fuqizuar lëvizja e udhëhequr nga studentët, e lindur nga protestat masive që kanë vazhduar për afro dy vjet dhe që tashmë është shndërruar në një forcë të rëndësishme elektorale.




