Pesë xhipa të gazetarëve të huaj rrethuan varrin e 11-vjeçarit që serbët nuk lejonin ta varrosnin – dëshmia tronditëse pas 27 vjetësh

Pesë xhipa të gazetarëve të huaj rrethuan varrin e 11-vjeçarit që serbët nuk lejonin ta varrosnin – dëshmia tronditëse pas 27 vjetësh

Pesë xhipa të gazetarëve të huaj rrethuan varrin e 11-vjeçarit që serbët nuk lejonin ta varrosnin – dëshmia tronditëse pas 27 vjetësh

Një nënë që përkëdhelte për herë të fundit djalin e saj 11-vjeçar të vrarë nga forcat serbe dhe një abetare e gjetur mes rrënojave të shtëpisë së familjes Jashari në Prekaz. Këto janë disa nga pamjet që, edhe pas 27 vjetësh, vazhdojnë ta shoqërojnë profesorin Ismail Ismaili, i cili gjatë luftës në Kosovë shërbeu si përkthyes për gazetarët e huaj.

Pa armë në duar, Ismaili kishte një rol tjetër: t’ua përcillte gazetarëve francezë dëshmitë e shqiptarëve që po përjetonin dhunën dhe krimet e luftës. Përmes tij, rrëfimet e viktimave arrinin te mediat ndërkombëtare.

Sponsor 3M Express

Në një rrëfim për KosovaPress-in, ai ka rikthyer disa nga ngjarjet që përjetoi nga afër, prej vizitës në Prekaz pas masakrës së familjes Jashari, deri te varrimi i një fëmije që forcat serbe nuk lejonin të kryhej.

Gjithçka kishte nisur në vitin 1995, kur një koleg e rekomandoi si përkthyes për gazetarët francezë. Megjithëse e njihte gjuhën frënge, Ismaili kishte dyshime nëse do të arrinte të komunikonte rrjedhshëm, pasi që nga viti 1979 nuk kishte pasur kontakte të drejtpërdrejta me francezë.

Takimet e para me gazetarët u zhvilluan në Kodrën e Trimave, në shtëpinë ku mbaheshin mbledhjet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në njërën prej vizitave të para, gazetarët francezë kërkuan të shkonin në një xhami për të parë sa fetar ishte populli shqiptar. Aty, sipas Ismailit, ata vunë re mungesën e të rinjve, ndërsa një i moshuar u tha se “ata kanë punë më të mençura” sesa të luten për veten.

Më pas, gjatë një vizite në treg, gazetarët panë dy policë serbë duke ushtruar dhunë ndaj një të riu shqiptar që kishte dalë të shiste produktet e tij. Ngjarja ishte filmuar nga kamerat e gazetarëve.

Abetarja mes rrënojave të shtëpisë së Jasharëve

Pas rënies heroike të familjes Jashari, Ismaili dhe gazetarët francezë shkuan në Prekaz për të parë nga afër shkatërrimet.

Në shtëpinë e familjes Jashari, mes rrënojave, njëri prej gazetarëve gjeti një abetare. Për Ismailin, ajo ishte dëshmi e jetës që kishte ekzistuar aty para shkatërrimit.

“Shtëpia e Ademit ishte e shkatërruar… Çka me pa, oborri ishte i mbushur me ‘llasnika’, disa revista fetare të Sarajevës, i thashë gazetarit këto nuk janë të tonat. Fatmirësisht, duke i larguar ato e gjeti një abetare edhe tha po e fotografoj këtë. Një lloj forme, abetarja tregonte që një fëmijë aty ka filluar të shkruajë, t’i mësojë shkronjat dhe kësisoj tregonte jetën që ka ekzistuar dikur”, rrëfeu Ismaili.

Ai kujton se gazetarët, pas kthimit në Prishtinë, e kishin përshkruar atë që panë në Prekaz si masakër, duke e krahasuar me krimet që kishin parë gjatë luftës në Bosnjë.

“Kur erdhëm në Prishtinë, thanë kjo është masakër, kjo është diçka e paparë. Tha ne kemi parë gjithçka në Bosnjë, e njëjta gjë po ndodh te ju, bile me një ashpërsi edhe më të madhe”, tregoi ai.

Gazetarët spanjollë e dërguan të plagosurin në spital

Një tjetër ngjarje që Ismaili e kujton ka ndodhur në fshatin Tërdevc. Atje, një i plagosur kishte nevojë urgjente për trajtim mjekësor, pasi rrezikonte të vdiste nëse nuk dërgohej në spital.

Ismaili tregon se kërkoi ndihmën e disa gazetarëve spanjollë që flisnin frëngjisht. Ata pranuan ta merrnin të plagosurin me veturën e tyre dhe ta dërgonin për trajtim.

“Një shtëpi që shërbente si ambulantë, mjeku po më thërret e më tha e kemi një të plagosur, ai i shkreti ishte i plagosur në krahë dhe në këmbë, nëse nuk e dërgojmë në spital, ky sot do të vdesë. (…) Ishin disa gazetarë spanjollë më tutje e flisnin frëngjisht, i luta, u thashë ky njeri do të vdesë nëse nuk e dërgoj në spital. Thanë silleni, e morën ata. Nuk dimë asgjë për atë njeri tash”, rrëfeu ai.

Varrimi i 11-vjeçarit nën mbrojtjen e gazetarëve

Të nesërmen, në Krajkovë, ishte vrarë një djalë 11-vjeçar, nipi i të plagosurit që gazetarët spanjollë e kishin dërguar në spital.

Sipas rrëfimit të Ismailit, fëmija ishte qëlluar nga serbët derisa kishte dalë në mal me axhën e tij për të prerë dru. Familja kishte hapur varrin gjatë natës, por nuk po arrinte ta varroste, pasi të shtënat nuk lejonin zhvillimin e ceremonisë.

Pamja e nënës që përkëdhelte trupin e pajetë të djalit ishte një nga momentet më të rënda që Ismaili thotë se nuk mund t’i harrojë.

Ai tregon se gazetarët e huaj vendosën t’i ndihmonin familjes. Pesë xhipa rrethuan vendin ku ndodhej varri, duke krijuar një hapësirë të sigurt për varrimin e fëmijës.

“Të nesërmen u përhap lajmi që ishte vrarë një djalë i ri 11-vjeçar në Krajkovë. Ai kishte qenë bashkë me të plagosurin në Tërdevc, axha i tij. Kishin dalë në mal për të prerë drunj, serbët kanë shtënë në ta dhe kanë vrarë djalin. Ka qenë një pamje e hatashme sepse nëna ledhatonte djalin e vrarë. (…) Thanë hajdeni me ne, ka pasur plot gazetarë. Kanë qenë pesë xhipa që e bënë një lloj rrethi dhe e varrosëm djalin”, rrëfeu Ismaili.

Këto dhe dëshmi të tjera nga koha e luftës, profesori Ismail Ismaili i ka përmbledhur në librin e tij “Në hijen e luftës, në dritën e fjalës”.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë dhe periudhës së lidhur me të, janë vrarë 1 mijë e 24 fëmijë, ndërsa 109 të tjerë janë regjistruar si të zhdukur.

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Partia e Pensionistëve kërkon burg për politikanët e korruptuar si dhe konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme

Partia e Pensionistëve kërkon burg për politikanët e korruptuar si dhe konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme

​Strategjia për ish-krerët e UÇK-së në fazën vendimtare, partitë zbulojnë çfarë po përgatitet në heshtje

​Strategjia për ish-krerët e UÇK-së në fazën vendimtare, partitë zbulojnë çfarë po përgatitet në heshtje

Suksesi i fëmijëve nuk varet vetëm nga shkolla, shtatë mësime jetësore që duhet të mësojnë që në vegjëli

Suksesi i fëmijëve nuk varet vetëm nga shkolla, shtatë mësime jetësore që duhet të mësojnë që në vegjëli