Tre persona janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën dyshimin se kanë përdorur inteligjencën artificiale për të imituar drejtorë kompanish dhe avokatë, duke mashtruar biznese të ndryshme dhe përvetësuar rreth 129 milionë dollarë.

Sipas aktakuzës së ngritur në një gjykatë federale në New York, të dyshuarit kishin organizuar një skemë mashtrimi që zgjati më shumë se një vit e gjysmë dhe kishte në shënjestër kompani në vende të ndryshme të botës.
Ata përdornin inteligjencën artificiale për të imituar zërat dhe pamjen e drejtuesve të kompanive, duke kontaktuar punonjësit e departamenteve financiare dhe duke u kërkuar të kryenin transferta të mëdha parash.
Pasi krijonin besueshmëri përmes komunikimeve elektronike, mashtruesit organizonin edhe telefonata ose videokonferenca, ku paraqiteshin si drejtues të kompanive apo përfaqësues ligjorë, shkruan nbc.
Në disa raste, ata pretendonin se po vepronin në emër të avokatëve të kompanive të njohura ligjore, duke i bindur punonjësit se transferet ishin pjesë e transaksioneve konfidenciale dhe legjitime.
Paratë e përfituara transferoheshin në llogari bankare në vende të ndryshme dhe më pas konvertoheshin në kriptovaluta, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre.
Në mesin e viktimave të kësaj skeme ishin institucione shëndetësore në Misuri dhe Kaliforni, një bankë në Rhode Island, një kompani britanike e teknologjisë financiare, një fond investimesh në Massachusetts dhe një kompani për ushqimin e kafshëve shtëpiake në Florida.
Tre të dyshuarit janë arrestuar në periudhën nga qershori deri në shtator. Ata akuzohen për mashtrim elektronik, vjedhje të identitetit dhe pastrim parash.
Nëse shpallen fajtorë, për disa prej veprave penale me të cilat ngarkohen mund të dënohen deri në 20 vjet burgim.
Rasti është një tjetër dëshmi se si inteligjenca artificiale po shfrytëzohet nga rrjetet kriminale për të realizuar mashtrime gjithnjë e më të sofistikuara, duke e bërë më të vështirë dallimin mes komunikimeve autentike dhe atyre të manipuluara. /Telegrafi/




