Real Madrid dhe PSV Eindhoven luajtën mes vete në ndeshjen e raundit të pestë të Ligës së Kampionëve në stadiumin Santiago Bernabeu, e cila përfundoi me fitoren e vendasve 5-1. Mysafirët shënuan golin e vetëm në minutën e 32-të, kur Ivan Perisic ishte i saktë nga penalltia. Anësori kroat bëri histori në garën elitare evropiane për klube me golin e tij dhe vendosi dy rekorde.

Me 37 vjet e 295 ditë, Perisic u bë lojtari më i vjetër që shënuar një penallti në historinë e Ligës së Kampionëve, dhe gjithashtu lojtari më i vjetër që ka shënuar kundër Real Madridit në këtë garë. Megjithatë, Reali shënoi pesë gola në pjesën e dytë për të përmbysur rezultatin dhe për të parandaluar një humbje të turpshme.
Futbollisti kroat është ngjitur gjithashtu në vendin e katërt në listën e golashënuesve më të vjetër në historinë e Ligës së Kampionëve, duke tejkaluar uellsianin legjendar Ryan Giggs, i cili shënoi golin e tij të fundit në këtë garë në moshën 37 vjeç e 289 ditë.
Vetëm Pepe i Portugalisë, David Luiz i Brazilit dhe Francesco Totti i Italisë janë tani përpara Perisic. Rekordi mbahet nga Pepe, i cili shënoi për Porton në dhjetor 2023 në moshën 40 vjeç e 290 ditë.
I dyti është David Luiz, i cili shënoi për Pafos të Qipros kundër Monacos në nëntor të vitit të kaluar pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Mislav Orsic. I treti është Totti, i cili shënoi për Romën në nëntor të vitit 2014 në moshën 38 vjeç e 59 ditë.
Perisic theu rekordin e vendosur nga Sergio Ramos, i cili shënoi nga pika e bardhë kundër Sevillas në dhjetor 2023 në moshën 37 vjeç e 257 ditë. Vitin e kaluar, kroati u bë shënuesi i tretë më i vjetër i penalltive në historinë e Ligës së Kampionëve, pas Ramos dhe Luka Modric, dhe tani ai i ka tejkaluar të dy. /Telegrafi/





