Edicioni jubilar i Shqip Up Comedy Festival do të mbahet këtë të shtunë, më 31 tetor, në Cyrih të Zvicrës. Organizatori Ridvan Murati thotë për Telegrafin se përgatitjet për këtë ngjarje kanë nisur që në shkurt, ndërsa biletat janë shitur dy muaj para festivalit.

Shqip Up Comedy Festival po bëhet gati për edicionin e pestë jubilar, i cili pritet të mbledhë më shumë se 1,600 persona në Cyrih të Zvicrës, në një mbrëmje që do të bashkojë humorin, muzikën dhe komunitetin shqiptar në diasporë.
Në prag të kësaj ngjarjeje, Telegrafi ka zhvilluar një intervistë me aktorin dhe organizatorin e festivalit, Ridvan Murati, i cili ka ndarë emocionet e tij për këtë përvjetor, ka folur për përgatitjet e fundit dhe ka zbuluar disa nga surprizat që do ta shoqërojnë programin e sivjetmë.
Posteri zyrtar i “Shqip Up Comedy Festival 2026′ në Cyrih (FOto: Shqip Up Festival/Instagram)
Murati thotë se rrugëtimi i festivalit ka qenë një përvojë e veçantë, pasi ajo që nisi si një eksperiment është shndërruar gradualisht në një ngjarje të rëndësishme kulturore për shqiptarët në Zvicër.
“Edicion pas edicioni, tashmë kemi arritur në jubileun e pestë të Shqip Up Comedy Festival dhe mund të themi se sivjet kemi emocione të pesëfishta, sepse rrugëtimi ynë nga një eksperiment në ngjarjen kryesore kulturore të shqiptarëve në Zvicër na bën më se krenarë me këtë arritje”, shprehet ai për Telegrafin.
Për organizatorët, ky jubile shënon jo vetëm pesë vjet punë e përkushtim, por edhe dëshminë se një projekt i nisur me pasiguri mund të shndërrohet në një traditë të rëndësishme për komunitetin shqiptar jashtë vendit.
Përgatitjet për edicionin e sivjetmë kanë nisur shumë më herët sesa mund të mendohej. Sipas Muratit, ekipi ka filluar punën që në ditët e para të shkurtit, duke u kujdesur që çdo detaj i festivalit të jetë i organizuar deri në mbrëmjen e madhe.
“Duke qenë tashmë të vetëdijshëm për efektin, rëndësinë dhe rrugëtimin e Shqip Up, ne si drejtues të festivalit jemi ndier të obliguar që asgjë të mos ia lëmë rastit”, thotë Murati, duke shtuar se janë më se të kënaqur me përgatitjet e deritanishme.
Pamje nga edicioni i katërt i “Shqip Up Comedy Festival” (Foto: Shqip Up Comedy/Instagram)
Një prej treguesve më të rëndësishëm të interesimit të publikut, sipas tij, është fakti se biletat janë shitur dy muaj para datës së mbajtjes së festivalit. Për organizatorët, ky rezultat është dëshmi se puna dhe përkushtimi i ekipit po shpërblehen.
Për këtë edicion jubilar, organizatorët kanë vendosur që festivali të zhvillohet sërish në një natë të vetme. Për t’iu përgjigjur interesimit të madh, është rritur edhe kapaciteti i sallës, ndërsa pritshmëritë janë që në këtë ngjarje të marrin pjesë mbi 1,600 persona.
Sa u përket surprizave, Murati paralajmëron një program që bashkon emra të njohur të humorit shqiptar dhe zviceran, duke e shoqëruar festën edhe me muzikë live.
“Befasitë kanë filluar me programin, duke ftuar edhe një herë ajkën e komedianëve shqiptarë dhe zviceranë, e duke vazhduar me dhuratën speciale, ku në afterparty publikun do ta shoqërojë bendi legjendar i rokut shqip, Elita 5”, zbulon ai.
Ridvan Murati në edicionin e katërt i “Shqip Up Comedy Festival” (Foto: Shqip Up Comedy/Instagram)
Kështu, edicioni i pestë nuk do të jetë vetëm një mbrëmje humori, por edhe një festë e përbashkët, ku publiku do të ketë mundësi të qeshë, të festojë dhe të këndojë së bashku me artistët e preferuar.
Në fund, Murati ia dedikon këtë arritje pikërisht publikut shqiptar në diasporë, të cilin e konsideron mbështetësin kryesor të festivalit që nga edicioni i parë.
“E gjithë kjo festë dhe ky organizim i dedikohet ekskluzivisht publikut shqiptar në diasporë, sepse ishin ata që besuan, e madhëruan dhe e rritën këtë festival, duke qenë gjithmonë besnikë dhe pranë nesh në çdo edicion. Ju faleminderit”, përfundon ai.
Pas pesë edicionesh, Shqip Up Comedy Festival synon ta shënojë këtë jubile me një mbrëmje të veçantë, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e humorit dhe kulturës si ura që bashkojnë shqiptarët në diasporë. /Telegrafi/




