Në oborrin e shkollës “Naim Frashëri” në Vlashnjë është organizuar për herë të parë Darka e Lamës, një aktivitet kushtuar ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe traditave shqiptare.

Gjatë këtij organizimi janë ekspozuar ushqime të ndryshme tradicionale, ndërsa nxënësit kanë marrë pjesë në aktivitete edukative në gjuhën shqipe, gjuhën angleze, matematikë, pikturë dhe vizatim.
Drejtoresha e shkollës, Luljeta Gavazaj, ka vlerësuar rëndësinë e këtij aktiviteti, duke theksuar se organizime të tilla kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe kanë vlerë të veçantë për nxënësit.
Edhe mësimdhënësi Martin Domgjoni ka theksuar se Darka e Lamës, përveç promovimit të kulturës dhe traditave shqiptare, ka një rol të rëndësishëm edukues dhe informues për nxënësit.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe Meagan Walden, nga organizata amerikane “City on a Hill”, e cila e vlerësoi organizimin dhe shprehu pëlqimin e saj për ushqimet tradicionale shqiptare, veçanërisht për flinë.
Ndërkohë, nxënësit Rumejsa Arifaj dhe Eris Hoxhaj u shprehën të lumtur që patën mundësinë të jenë pjesë e këtij organizimi, i cili për herë të parë u mbajt në shkollën e tyre.
Aktiviteti synoi jo vetëm promovimin dhe ruajtjen e traditave shqiptare, por edhe përfshirjen e nxënësve në veprimtari kulturore dhe edukative, duke u krijuar atyre përvoja dhe kujtime të veçanta, raporton TVPrizreni.




