Familja e Arlinda Zekajt, së bashku me avokatin Besnik Berisha, po kërkojnë tërheqjen e aktakuzës aktuale ndaj ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylaj.

Këtë e ka bërë të ditur gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, duke raportuar për zhvillimet lidhur me këtë rast.
E ftuar në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Tërshani ka shpjeguar se kërkesa lidhet me cilësimin juridik të rastit të kanosjes dhe kërcënimit me jetë që i ishte bërë Arlindës para vrasjes së saj.
Sipas Tërshanit, familja dhe avokati i saj kërkojnë ndryshimin e aktakuzës, në mënyrë që i dyshuari të mund të dënohet me më shumë se një vit burgim, transmeton Klankosova.tv.
“Megjithatë, aktakuza ndaj bashkëshortit të Arlindës është për kanosje dhe kërcënim me jetë që ai ia kishte bërë asaj. Kërkesa e avokatit Besnik Berisha dhe e familjes së Arlindës është që aktakuza të ndryshohet, në mënyrë që Jeton Sylaj të ketë mundësi të dënohet me më shumë se një vit burgim”, ka deklaruar Tërshani.
Ajo ka bërë të ditur se një nga çështjet që po ngritet nga familja është edhe fakti se Arlinda nuk ishte trajtuar si “viktimë e ndjeshme”, duke e krahasuar këtë me rastin e Liridona Ademajt.
“Nëse mund të bëjmë një paralele me rastin e Liridona Ademajt, ajo kishte statusin e viktimës së ndjeshme, pra të një viktime të pambrojtur. Në rastin e Arlindës, sipas tyre, ky status nuk ishte përfshirë dhe ky konsiderohet gabim i Prokurorisë”, ka thënë Tërshani.
Ndërkaq, duke folur për arrestimin e ish-vjehrrës dhe kunatit të Arlindës, gazetarja ka bërë të ditur se ish-vjehrra dyshohet të jetë një nga personat kryesorë në planifikimin e vrasjes së saj.
Ajo ka theksuar se rasti përmban detaje të reja, ndërsa ka ngritur edhe çështjen e përgjegjësisë së prokurores që ka trajtuar rastin.
“Kësaj i shtohet edhe fakti se dje është arrestuar një tjetër grua në lidhje me rastin, ish-vjehrra e Arlindës, e cila dyshohet se është njëra nga kryesoret në hartimin e planit për vrasjen e saj”, ka deklaruar Tërshani.
Për më shumë ndiqni videon:





