Buxheti shtetëror do të ketë rol në financimin e projekteve të mëdha infrastrukturore dhe në shlyerjen e një pjese të kredive të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore (NPRSH), bëri të ditur zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, në një intervistë televizive.

Ai pranoi se financimi për projektin e autostradave që po ndërtohen nga konsorciumi “Bechtel dhe Enka” nuk ishte siguruar para fillimit të punimeve, për çka Qeveria tani është detyruar të kërkojë burime shtesë financimi.
“Sa i përket kthimit të kredive, në këtë moment Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore thjesht po i shlyen kreditë. Se si do të zhvillohet kjo 10-15 vjet nga tani, mund vetëm të hamendësojmë. Kemi disa parashikime që po i shqyrtojmë me drejtorin Koce Trajanovski, por pritet që një pjesë të kredive të shlyhet edhe nga buxheti dhe këtu nuk ka asgjë të diskutueshme”, deklaroi Nikolloski.
Ai theksoi se ndërtimi i autostradave nuk është përgjegjësi vetëm e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, por e gjithë shtetit, pasi bëhet fjalë për investime kapitale me rëndësi strategjike. Sipas tij, është normale që një pjesë e financimit të sigurohet nga buxheti shtetëror dhe pjesa tjetër përmes huamarrjes.
Për ndërtimin e autostradave në Korridoret 8 dhe 10, këtë vit janë siguruar 103 milionë euro nga buxheti dhe 140 milionë euro të tjera përmes pesë bankave më të mëdha komerciale vendase. Shuma e përgjithshme që pritet të shpenzohet gjatë këtij viti për ndërtimin e autostradave arrin në 243 milionë euro.
“Këtë vit do të shpenzojmë gjithsej 243 milionë euro për ndërtimin e autostradave”, tha Nikolloski.
I pyetur se përse mjetet për “Bechtel dhe Enka” janë transferuar nga buxheti te Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore, duke krijuar hapësirë për shpenzime të tjera brenda deficitit buxhetor, Nikolloski u përgjigj se buxheti ka hapësirë të kufizuar për investime kapitale.
“Në atë rast, ‘Bechtel dhe Enka’ do të punonte me më pak se 140 milionë euro, sepse buxheti nuk mund të zgjerohet aq sa ju përshtatet juve. Ka rregulla të qarta për madhësinë e deficitit buxhetor, për investimet kapitale, mënyrën se si planifikohen ato e kështu me radhë”, deklaroi ai.
Nikolloski pranoi se projekti për ndërtimin e segmenteve të autostradës Tetovë–Gostivar, Gostivar–Bukojçan, Prilep–Manastir dhe Trebenishtë–Qafë Thanë kishte nisur pa u siguruar plotësisht financimi. Sipas tij, burimet e mjeteve duhej të përcaktoheshin paraprakisht, por Qeveria aktuale është detyruar ta zgjidhë këtë çështje pasi punimet tashmë kishin filluar.
“Ne tani, çdo vit, praktikisht punojmë për sigurimin e financimit për këtë projekt, gjë që natyrisht është shumë më keq sesa sikur kjo të ishte bërë nga qeveria e mëparshme, para fillimit të punimeve”, tha Nikolloski.
Në intervistë u diskutua edhe gjendja financiare e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. Raporti publik për tremujorin e parë të vitit 2026 tregon se detyrimet kreditore të ndërmarrjes arrijnë në rreth një miliard euro, ndërsa janë regjistruar edhe detyrime të konsiderueshme ndaj furnitorëve.
Sipas raportit, fitimi në tremujorin e parë ishte 264,8 milionë denarë, ose rreth 4,31 milionë euro, që paraqet një rënie prej 86,3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, Nikolloski vlerëson se Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore nuk mund të vlerësohet si një kompani private, pasi realizon projekte infrastrukturore me interes shtetëror.
“Quhet ndërmarrje publike, nuk quhet ndërmarrje private dhe nuk është shoqëri aksionare. Investimet që realizohen nuk kanë vetëm karakter të pastër afarist, por edhe karakter strategjik shtetëror. Prandaj është normale që buxheti ta ndihmojë Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore”, deklaroi zëvendëskryeministri.
Ai foli edhe për huamarrjen nga bankat vendase, duke vlerësuar se është më mirë që paratë të mbeten në vend, në vend që të shfrytëzohen kredi nga institucione të huaja financiare.
Për kreditë prej 140 milionë eurosh, një për projektin “Bechtel dhe Enka” dhe tjetra për autostradën Ohër–Kërçovë, Nikolloski bëri të ditur se janë dakorduar tri vjet periudhë grejs, nëntë vjet për shlyerjen e kredisë dhe normë fikse interesi prej 3,95 për qind.
Ndërkohë, mbetet e hapur çështja e publikimit të raportit financiar të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore për tremujorin e dytë të vitit 2026. Gjatë intervistës u theksua se afati ligjor për publikimin e tij kishte përfunduar më 30 korrik, por dokumenti nuk ishte i qasshëm për publikun.
Nikolloski tha se do të bisedojë me drejtorin Koce Trajanovski për të verifikuar nëse bëhet fjalë për ndonjë gabim teknik.
Me ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10, Maqedonia do ta forcojë pozitën e saj politike dhe ekonomike në rajon, vlerësoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në një intervistë televizive.
Ai theksoi se Qeveria ka si synim ambicioz përfundimin e plotë të të dy korridoreve, duke nënvizuar se rëndësia e tyre shkon përtej përfitimeve infrastrukturore. Sipas tij, në vend po ndërtohen gjashtë autostrada dhe dy linja hekurudhore në kuadër të korridoreve evropiane.
Nikolloski vlerëson se Korridori 8 ka rëndësi të veçantë ekonomike, ndërsa Korridori 10 është i rëndësishëm edhe nga aspekti i sigurisë për NATO-n. Sipas tij, funksionalizimi i plotë i tyre do të kontribuojë në lidhjen më të mirë rajonale dhe në forcimin e pozitës së Maqedonisë në rrjedhat ekonomike dhe të sigurisë në Evropë.
Zëvendëskryeministri theksoi se projektet infrastrukturore janë ndër prioritetet e Qeverisë që nga formimi i saj në vitin 2024, kur kryeministri Hristijan Mickoski i kishte përcaktuar si pjesë të rëndësishme të politikës shtetërore.
Ai nënvizoi se përfundimi i korridoreve është i rëndësishëm për stabilitetin afatgjatë dhe qëndrueshmërinë e shtetit, veçanërisht në kushtet e sfidave politike rajonale.
Sipas Nikolloskit, investimet në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore duhet të krijojnë kushte për zhvillim ekonomik, lidhje më të mira me vendet fqinje dhe rritje të rëndësisë strategjike të Maqedonisë.




