Gjykata Themelore në Gjakovë e ka shpallur aktgjykimin ndaj hajnit të akuzuar për grabitje, rast i cili kishte ndodhur më 1 qershor të këtij viti,

I akuzuari A.M., është shpallur fajtor dhe është dënuar me 7 vjet burgim dhe gjobë prej 500 euro, raporton Klankosova.tv
“I pandehuri A.M., akuzohet se me datën 01.06.2026, rreth orës 17:50 minuta, prapa këndit të lojërave Kids Center, në rr. Ferid Domi në Gjakovë, së bashku me të miturit I.A. dhe A.A., fillimisht lënë takim me të dëmtuarin E.B., dhe pasi e takojnë në vendin e lartcekur, i pandehuri afrohet te i dëmtuari, e kap nga qafa çantën e të dëmtuarit, ku në dorë mban një thikë.
Aty fillon përleshja dhe i pandehuri, me dorezën e thikës, të cilën e kishte në dorën e djathtë, e godet të dëmtuarin në krahun e majtë disa herë, pastaj pret rripin mbajtës të çantës, duke ia marrë çantën e krahut, ngjyrë të zezë. Pasi ia merr çantën, i pandehuri e kishte hapur çantën dhe nga aty e nxjerr një portofol, nga i cili i merr 115 euro. Pastaj, pasi e kontrollon çantën, revoltohet dhe, së bashku me të miturit, përsëri e godasin me grushte të dëmtuarin në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.”
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë 30 ditësh. /Klankosova.tv





