Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka klasifikuar Institutet Konfuci, qendrat kulturore të financuara nga Kina në universitete, si kërcënim për sigurinë kombëtare, deklaroi të premten sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Sipas Reuters, Uashingtoni prej kohësh i akuzon këto institute se shërbejnë si instrumente të propagandës kineze dhe ka ndërmarrë masa për kufizimin e veprimtarisë së tyre.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Hegseth pretendoi se organizata të lidhura me këto institute kishin vazhduar aktivitetin në universitetet amerikane me emra dhe statute të ndryshme.
“Rezulton se ishin shfaqur 80 celula të reja propagande në 30 universitete, duke përdorur emra dhe statute të ndryshme, por me të njëjtin mision: të vjedhin pronën intelektuale dhe të depërtojnë në mendjet e studentëve amerikanë”, tha ai.
Hegseth deklaroi gjithashtu se, gjatë dy muajve të fundit, Departamenti i Mbrojtjes kishte punuar për çmontimin e këtyre organizatave.
Institutet Konfuci janë të pranishme edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Në Kosovë nuk ka një institut të tillë, ndërsa Kina nuk e njeh pavarësinë e saj dhe nuk ka përfaqësim zyrtar në Prishtinë.
Burimi: Dukagjini




