Pentagoni dhe kompania amerikane e industrisë së mbrojtjes, Lockheed Martin, kanë arritur një marrëveshje dhjetëvjeçare për furnizimin e Shteteve të Bashkuara me të paktën 850 aeroplanë luftarakë F-35.

Marrëveshja synon të sigurojë një ritëm të qëndrueshëm të prodhimit dhe furnizimit me aeroplanë luftarakë të gjeneratës së pestë, si dhe të forcojë kapacitetet ushtarake amerikane.
Sipas Departamentit amerikan të Luftës, marrëveshja krijon një kornizë afatgjatë për blerjen e aeroplanëve, duke mundësuar planifikim më të mirë të prodhimit dhe menaxhim më efikas të zinxhirit të furnizimit.
Në kuadër të marrëveshjes, Lockheed Martin pritet të investojë të paktën shtatë miliardë dollarë nga fondet e veta në projekte që mbështesin programin F-35, shkruan reuters.
Paketa përfshin gjithashtu pjesë rezervë fillestare, komplete për modifikime dhe mbështetje për mirëmbajtjen e flotës globale të këtyre aeroplanëve.
Megjithatë, realizimi i marrëveshjes varet nga miratimet përkatëse të Kongresit amerikan dhe sigurimi i fondeve të nevojshme.
Zyrtarët amerikanë thonë se bashkimi i kërkesave për blerje përgjatë një periudhe dhjetëvjeçare do të rrisë fuqinë negociuese të Pentagonit dhe do të ndihmojë në uljen e kostove përmes prodhimit në shkallë të gjerë.
Michael P. Duffey, nënsekretar në Departamentin amerikan të Luftës, deklaroi se marrëveshja është pjesë e përpjekjeve për të rritur kapacitetet e industrisë vendore të mbrojtjes dhe për të përshpejtuar prodhimin e pajisjeve ushtarake.
Aeroplani F-35 është një nga sistemet më të avancuara luftarake të ushtrisë amerikane. Ai përdor teknologjinë e fshehtësisë ndaj radarëve, sensorë të avancuar dhe sisteme të integruara për mbledhjen dhe shkëmbimin e të dhënave.
Përmes kësaj marrëveshjeje, Uashingtoni synon të sigurojë furnizim më të parashikueshëm me aeroplanë luftarakë dhe të forcojë bazën industriale të mbrojtjes në një periudhë kur kërkesa për kapacitete ushtarake mbetet e lartë. /Telegrafi/




