Platforma “Peja Nuk Hesht” ka bërë thirrje për protestë në Pejë, duke kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe llogaridhënie institucionale lidhur me rastin e vrasjes së saj.

Protesta do të mbahet të premten, më 30 tetor, në orën 12:00, në Sheshin Skënderbeu në Pejë. Qytetarët ftohen t’i bashkohen protestës për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe llogaridhënie nga institucionet që, sipas organizatorëve, kanë dështuar ta mbrojnë të ndjerën.
Në thirrjen e tyre, organizatorët kanë ngritur shqetësime për veprimet e Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Qendrës për Punë Sociale në Pejë, duke pretenduar se një varg dështimesh institucionale i parapriu vrasjes së Zekajt.
Sipas tyre, e ndjera kishte paraqitur ankesa lidhur me rastin, ndërsa vrasja ndodhi pak kohë pasi ajo ishte shoqëruar nga policia në shtëpi.
“Peja nuk hesht! Kërkojmë drejtësi për Arlinda Zekajn!”, thuhet në thirrjen e organizatorëve, të cilët kërkojnë që rasti të trajtohet me seriozitet dhe të ketë përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve. /Telegrafi/




