Tifozët e Manchester Unitedit nuk janë të vetmit që janë ndier të dëmtuar nga gjyqtari Szymon Marciniak, pas barazimit 2-2 me Sportingun në Ligën e Kampionëve.

Arbitri polak u përball me kritika të ashpra të mërkurën mbrëma, pasi akordoi dy penallti për Sportingun në pjesën e parë, anuloi dy gola të Manchester Unitedit dhe lejoi të vlejë një gol i diskutueshëm i barazimit, pavarësisht pretendimeve për një ndërhyrje të palejuar ndaj portierit Senne Lammens.
Por, vetëm vitin e kaluar, Marciniak ishte përballur me zemërimin e tifozëve dhe futbollistëve të Barcelonës, kur kishte gjykuar humbjen dramatike të katalunasve ndaj Interit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.
Barcelona mbeti pa një vend në finalen e Ligës së Kampionëve, pasi humbi 4-3 nga Interi në stadiumin “San Siro” në vitin 2025, duke u eliminuar me rezultat të përgjithshëm 7-6.
Skuadra e Hansi Flickut ishte e revoltuar me vendimin për t’i akorduar Interit një penallti në pjesën e parë, pasi Pau Cubarsi u vlerësua se kishte ndërhyrë në mënyrë të palejuar ndaj Lautaro Martinezit.
Po aq të pakënaqur ishin edhe me rastin kur nuk iu akordua një penallti në favor të tyre, pasi mbrojtësi i Interit, Francesco Acerbi, dukej se kishte prekur topin me dorë brenda zonës.
Drama vazhdoi edhe në pjesën e dytë, kur Marciniak e ndryshoi vendimin për penallti pas rrëzimit të Lamine Yamalit në zonën e rreptësisë.
Barcelona besonte gjithashtu se kishte pasur ndërhyrje të palejuar ndaj Gerard Martinit në aksionin që i parapriu golit dramatik të barazimit të Interit.
“Nuk është hera e parë që na ndodh kjo me këtë gjyqtar. UEFA duhet ta shqyrtojë këtë çështje. Ka gjëra që nuk i kuptoj dhe që janë të vështira për t’u shpjeguar.
Të gjitha rastet 50-50 shkuan në favor të tyre. Te penalltia ndaj Lamine Yamalit, e cila më pas u vlerësua si faull, ai nuk i dha karton të verdhë Mkhitaryanit, që do të ishte i dyti për të”, kishte deklaruar i revoltuar Pedri pas ndeshjes.
Të njëjtat mendime i kishte ndarë edhe bashkëlojtari i tij, Inigo Martinez.
“Të gjithë e kanë parë sot se vendimet shkuan në të njëjtin drejtim, por nuk dua që kjo të jetë temë diskutimi. Në fund të fundit, gjyqtari duhej të merrte vendime dhe i mori ato në atë mënyrë. Është për të ardhur keq”, kishte thënë ai.
Ndërkohë, Joshua Zirkzee refuzoi që të fajësonte tërësisht Marciniakin për pikët e humbura nga Manchester Unitedi në Ligën e Kampionëve, megjithëse pranoi se gjyqtari polak nuk ua kishte lehtësuar aspak mundësinë për të marrë një fitore si mysafir.
“Për mendimin tim, padyshim që pati disa vendime të rëndësishme që nuk shkuan në favorin tonë.
Nuk duhet të merremi me gjyqtarin, por duhet të shikojmë veten. Megjithatë, kjo padyshim që ndikon te ne dhe nuk mund ta mohosh këtë.
Por, me ekipin që kemi, duhet të vijmë këtu dhe të mos merremi me gjyqtarin, por të sigurohemi që të fitojmë, pavarësisht vendimeve që ai merr”, deklaroi Zirkzee për “MUTV”
Burimi: Insajderi





