Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka caktuar Valbona Disha-Haxhosajn ushtruese të detyrës së kryeprokurores në Prokurorinë Themelore në Pejë, pas vendimit për suspendimin e Lumturije Vuçetajt.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, nën udhëheqjen e kryesuesit Arian Gashi, ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm, ku ka shqyrtuar kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, për fillimin e procedurës disiplinore ndaj kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores së rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri.
Pas shqyrtimit të kërkesës, KPK-ja ka vendosur të formojë një panel hetimor për trajtimin e rastit dhe ka miratuar propozimin për suspendimin e të dy prokuroreve.
Vendimet lidhen me raportin me numër reference A.Nr. 379/2026, të paraqitur nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në kuadër të kërkesës për fillimin e hetimit disiplinor lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Caktimi i Valbona Disha-Haxhosajt në pozitën e ushtrueses së detyrës vjen në këtë kontekst institucional, ndërsa procedura disiplinore ndaj dy prokuroreve pritet të trajtohet nga paneli hetimor. /Telegrafi/




