Partitë Popullore Evropiane propozojnë pezullimin e partisë së Vuçiqit

Partitë Popullore Evropiane propozojnë pezullimin e partisë së Vuçiqit

Partitë Popullore Evropiane propozojnë pezullimin e partisë së Vuçiqit

Kryesia e Partisë Popullore Evropiane (EPP), familjes më të madhe politike në Evropë, ku bën pjesë edhe Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), ka propozuar pezullimin e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit.

Sponsor 3M Express

Për këtë propozim do të vendoset në Asamblenë Politike të EPP-së, më 7 dhe 8 dhjetor, në Bruksel.

Nëse propozimi miratohet, partia e Vuçiqit do t’i humbasë të gjitha të drejtat e anëtarësimit në këtë organizatë, përfshirë të drejtën e votës dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje, shkruan index.hr.

Megjithatë, SNS-së do t’i jepet një afat prej një viti për të përmbushur shtatë kushtet e përcaktuara nga EPP-ja. Nëse dështon, partia mund të përjashtohet plotësisht nga kjo familje politike evropiane, së cilës i është bashkuar në vitin 2016.

Ky propozim vjen pas një procesi 14-mujor të verifikimit nëse SNS-ja i respekton vlerat dhe parimet themelore të EPP-së. Procedura kishte nisur në shtator të vitit 2025, ndërsa pakënaqësitë ndaj partisë së Vuçiqit janë shtuar për shkak të qëndrimeve të saj ndaj krimeve të luftës, Rusisë dhe institucioneve demokratike.

Cilat janë kushtet që duhet t’i përmbushë partia e Vuçiqit?

Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara nga mediat kroate, ndër kushtet e vendosura për SNS-në janë shkëputja nga trashëgimia e politikës së Serbisë së Madhe të kohës së Sllobodan Millosheviqit, ndalimi i glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe ndërprerja e mohimit të gjenocidit në Srebrenicë dhe krimeve të tjera të luftës.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar qëndrimit ndaj Ratko Mlladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera lufte.

Varrimi i tij në Beograd, në shtator të këtij viti, ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë serbë, shkaktoi reagime të ashpra në institucionet evropiane.

EPP-ja kërkon gjithashtu që SNS-ja ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me qëndrimet e përbashkëta të Bashkimit Evropian, të ndërpresë mbështetjen për politikat e presidentit rus, Vladimir Putin, si dhe të bashkëpunojë me autoritetet e reja në Serbi për një transferim paqësor të pushtetit.

Partisë së Vuçiqit i kërkohet gjithashtu të ndalojë cenimin e lirisë së mediave, ndërsa EPP-ja ka shprehur shqetësime edhe për korrupsionin dhe lidhjet e strukturave shtetërore me krimin e organizuar.

Lista e plotë e shtatë kushteve ende nuk është bërë publike.

HDZ-ja e mirëpret propozimin

Propozimin e ka përshëndetur Karlo Ressler, drejtues i delegacionit të HDZ-së në Parlamentin Evropian.

Ai tha se vendimi është në përputhje me paralajmërimet dhe kërkesat që partia e tij i ka bërë prej vitesh, si publikisht, ashtu edhe brenda familjes së përbashkët politike evropiane.

Ressler theksoi se vlerat e EPP-së janë të papajtueshme me politikanët dhe regjimet që glorifikojnë kriminelët e luftës, kërcënojnë shtetet fqinje ose mbështesin agresionin rus kundër Ukrainës.

HDZ-ja është anëtare e plotë e EPP-së, ndërsa në vitin 2016, kur SNS-ja u pranua si anëtare e asociuar, kishte abstenuar gjatë votimit.

Procesi i verifikimit zgjat prej më shumë se një viti

EPP-ja e nisi verifikimin e brendshëm të anëtarësimit të SNS-së në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me gjendjen e demokracisë në Serbi, trajtimin e protestuesve nga autoritetet dhe respektimin e vlerave themelore evropiane.

Presioni ndaj partisë së Vuçiqit u shtua edhe më shumë pas varrimit të Ratko Mlladiqit në Beograd.

Ndërkohë, në fillim të nëntorit, Politico raportoi se EPP-ja mund të vendoste në takimin e dhjetorit për të ardhmen e SNS-së. Në atë kohë po shqyrtoheshin dy mundësi: vendosja e kushteve për vazhdimin e anëtarësimit ose përjashtimi i plotë i partisë.

Propozimi i fundit i kryesisë së EPP-së tregon se është zgjedhur mundësia e parë, por me pezullimin e të drejtave të anëtarësimit.

Çfarë nënkupton pezullimi?

Pezullimi nuk është i njëjtë me përjashtimin. Në këtë rast, SNS-ja do të vazhdonte të ishte formalisht e lidhur me EPP-në, por nuk do të kishte të drejtë të merrte pjesë në vendimmarrje apo të shfrytëzonte të drejtat e anëtarësimit.

Vendimin përfundimtar do ta marrë Asambleja Politike e EPP-së në takimin e 7 dhe 8 dhjetorit në Bruksel.

Një rast i ngjashëm ka ndodhur më herët me partinë hungareze Fidesz të Viktor Orbanit. Pas mosmarrëveshjeve shumëvjeçare lidhur me sundimin e ligjit dhe standardet demokratike, Fidesz-i u pezullua nga EPP-ja në vitin 2019, ndërsa në vitin 2021 u largua nga kjo familje politike. /Telegrafi/

Lexo edhe

Vazo e njëjtë, fat i ndarë – Kosova dhe Shqipëria pozicionohen në vazon e tretë për kualifikimet e Euro 2028

Vazo e njëjtë, fat i ndarë – Kosova dhe Shqipëria pozicionohen në vazon e tretë për kualifikimet e Euro 2028

I tha se i dashuri i saj është vetëm imagjinar – Plas debati mes Valdetit dhe Anjezës (VIDEO)

I tha se i dashuri i saj është vetëm imagjinar – Plas debati mes Valdetit dhe Anjezës (VIDEO)

Miftaraj: Pa reagimet publike, dënimet ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të ishin edhe më të larta (VIDEO)

Miftaraj: Pa reagimet publike, dënimet ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të ishin edhe më të larta (VIDEO)