Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duket se ka dalë më mirë nga sa parashikonin sondazhet, me partinë e tij Likud që po rezulton forca më e madhe politike. Megjithatë, rezultatet paraprake tregojnë se blloku i tij me partitë ultra-nacionaliste dhe ultra-ortodokse mund të mbetet nën pragun prej 61 mandatesh, të nevojshëm për shumicën në parlamentin me 120 vende.

Numërimi i votave vijon, ndërsa analistët paralajmërojnë se rezultatet mund të ndryshojnë, pasi votat e numëruara deri tani vijnë në masë më të madhe nga zona me mbështetje të fortë për të djathtën. Pjesëmarrja në zgjedhje kaloi 77 për qind, në një garë ku ishte parashikuar një përplasje e ngushtë mes dy kampeve kryesore, transmeton Telegrafi.
Në këtë situatë, ish-shefi i ushtrisë izraelite dhe rivali kryesor i Netanyahut, Gadi Eisenkot, mund ta ketë të vështirë të sigurojë shumicën parlamentare pa mbështetjen e partive që përfaqësojnë pakicën arabe të Izraelit. Sipas rezultateve të pjesshme, partitë arabe kanë barazuar ose kanë tejkaluar numrin e mandateve të fituara më parë, duke u shndërruar në faktor të mundshëm përcaktues për formimin e qeverisë.
Gjatë fushatës, shumica e partive hebraike të opozitës u zotuan se nuk do të bashkëpunonin me listat e dominuara nga arabët, duke argumentuar se nuk ndajnë të njëjtat vlera politike. Megjithatë, nëse partitë e tjera pranojnë të bashkojnë forcat me to, partitë arabe mund të luajnë rolin vendimtar në krijimin e shumicës.
Qytetarët arabë të Izraelit, të cilët shpesh identifikohen edhe si palestinezë me shtetësi izraelite dhe përbëjnë rreth një të pestën e popullsisë, duket se kanë marrë pjesë në numër të paprecedentë. Për shumë prej tyre, zgjedhjet u panë si një mundësi vendimtare për ta larguar nga pushteti qeverinë më të djathtë në historinë e vendit, të cilën e akuzojnë për nxitje të racizmit dhe urrejtjes.
Megjithatë, rezultati përfundimtar mund të mos bëhet i qartë edhe për një ose dy ditë të tjera, për shkak të numrit të madh të votave të mbetura pa u numëruar, kryesisht votave të ushtarëve izraelitë që votojnë jashtë zonave të tyre të zakonshme të votimit.
Gjatë natës, si Netanyahu, ashtu edhe Eisenkot iu drejtuan mbështetësve të tyre dhe u zotuan se do të formojnë qeverinë e ardhshme.
“Blloku i së djathtës ka një shumicë të qartë dhe vendimtare mes publikut sionist, publikut hebre dhe të gjithë atyre që mbështesin shtetin hebre”, deklaroi Netanyahu para mbështetësve të tij, pa shpallur zyrtarisht fitoren. Ai shtoi se vendi duhet të ketë një qeveri të fortë kombëtare dhe të djathtë.
Nga ana tjetër, Eisenkot tha se publiku kishte zgjedhur ndryshimin dhe se koalicioni aktual kishte humbur besimin e qytetarëve. Ai u zotua të punojë me partnerët e tij për të formuar një qeveri sioniste, të qëndrueshme dhe që do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të Izraelit.
Zgjedhjet kanë nxjerrë sërish në pah ndarjet e thella në shoqërinë izraelite. Ato janë parë jo vetëm si një votë për ose kundër udhëheqjes së Netanyahut, i cili po përballet me një proces gjyqësor për korrupsion, akuzat në të cilin i mohon, por edhe si një zgjedhje për drejtimin që duhet të marrë vendi.
Gjatë katër viteve të fundit, Netanyahu dhe partnerët e tij të koalicionit e kanë orientuar Izraelin drejt një politike më të ashpër fetare dhe nacionaliste. Përpara sulmeve të 7 tetorit 2023, të udhëhequra nga Hamasi, në vend pati protesta masive kundër planit të qeverisë për reformimin e sistemit gjyqësor. Sulmet e Hamasit shkaktuan më pas një seri konfliktesh në Gaza, Liban dhe Iran.
Një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë izraelite kërkon që vendi të mbështetet më fort te vlerat liberale dhe laike. Megjithatë, sipas profesoreshës Tamar Hermann, anëtare e Institutit Izraelit për Demokraci, pesha relative e dy kampeve kryesore, pro dhe kundër Netanyahut, duket se ka mbetur pothuajse e pandryshuar.
“Shumëkush priste që pas 7 tetorit, Netanyahu të rrëzohej politikisht, por kjo nuk ndodhi”, tha Hermann përpara zgjedhjeve.
Tani partitë kryesore kanë nisur negociatat intensive për të siguruar mbështetjen e forcave më të vogla. Këto negociata zakonisht përfshijnë oferta për poste ministrore, fonde buxhetore ose zbatimin e politikave të caktuara.
Sipas gazetarit dhe autorit izraelit Yaakov Katz, partitë mund të përpiqen të tërheqin deputetë nga kampi kundërshtar ose të krijojnë një qeveri pakice. Megjithatë, procesi mund të zgjasë javë apo edhe muaj, pa garanci se ndonjë kandidat do të arrijë të formojë një shumicë funksionale.
Një nga çështjet kryesore është nëse partitë e bllokut opozitar të ndryshimit do të pranojnë të thyejnë tabunë politike dhe të negociojnë me partitë arabe. Gjatë fushatës, një nga liderët e këtij blloku, politikani i djathtë Avigdor Lieberman, deklaroi se nuk do të merrte pjesë në një qeveri pakice që do të varej nga mbështetja e tyre. Kjo pasqyron rritjen e mosbesimit dhe armiqësisë ndaj qytetarëve arabë pas sulmeve të 7 tetorit.
Mansour Abbas, lider i partisë Ra’am, më e vogla nga dy listat kryesore arabe, ka deklaruar se dëshiron të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Partia e tij ishte pjesë e koalicionit të larmishëm që e largoi përkohësisht Netanyahun nga pushteti në periudhën 2021–2022.
Abbas beson se pas zgjedhjeve partnerët e mundshëm mund të jenë më të hapur ndaj një marrëveshjeje. Ai tha se politikanët izraelitë shpesh mbajnë një qëndrim gjatë fushatës dhe ndryshojnë gjuhën pas zgjedhjeve, duke shtuar se partitë arabe e kanë përjetuar këtë edhe më parë.
Ndërkohë, Netanyahu dhe aleatët e tij kanë nisur një fushatë për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e partive arabe, duke i paraqitur ato si kërcënim të brendshëm.
Hapat e ardhshëm do të varen nga rezultatet përfundimtare, të cilat pritet t’i paraqiten javën e ardhshme presidentit izraelit, Isaac Herzog. Pas kësaj, ai do të konsultohet me liderët e partive të zgjedhura dhe do t’i kërkojë kandidatit që ka më shumë gjasa të krijojë një koalicion të formojë qeverinë.
Kandidati do të ketë deri në gjashtë javë për të siguruar shumicën. Nëse dështon, mundësia mund t’u jepet kandidatëve të tjerë. Në rast se asnjëri nuk arrin të formojë një koalicion qeverisës, Izraeli do të mbajë zgjedhje të reja në muajt pasues dhe i gjithë procesi do të nisë nga e para.
Deri atëherë, qeveria e Netanyahut do të vazhdojë të funksionojë në detyrë, por me kompetenca të kufizuara për të ndërmarrë ndryshime të mëdha politike. /Telegrafi/




