Policia e Kosovës ka ndaluar edhe personin e tretë të dyshuar në kuadër të hetimeve për përgatitjen e një vrasjeje të rëndë, rast ky që ishte parandaluar nga Policia dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari i tretë është ndaluar të dielën, më 29 nëntor, rreth orës 04:30, në pikën kufitare në Han të Elezit, në hyrje të Kosovës.
Ai ishte në kërkim policor në kuadër të këtij rasti. Pas identifikimit dhe veprimeve procedurale, i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Me ndalimin e tij, numri i personave të ndaluar në këtë rast ka shkuar në tre.
Rasti lidhet me operacionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe AKI-së, gjatë të cilit ishte parandaluar një vrasje e dyshuar dhe ishin sekuestruar armë zjarri, përfshirë armë me silenciator.
Policia ka bërë të ditur se hetimet dhe veprimet operative po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe AKI-në.
Të dyshuarit po hetohen për përgatitje të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje dhe për armëmbajtje të paautorizuar. /Telegrafi/





