Para 4 vitesh, Qeveria Kurti synonte zero raste fatale ndaj grave deri më 2026

Para 4 vitesh, Qeveria Kurti synonte zero raste fatale ndaj grave deri më 2026

Para 4 vitesh, Qeveria Kurti synonte zero raste fatale ndaj grave deri më 2026

Qeveria e Albin Kurtit kishte vendosur një objektiv ambicioz, përmes një dokumenti qeveritar. Besoni ose jo, sipas këtij dokumenti të përpiluar e miratuar, deri në vitin 2026, rastet e dhunës në familje që përfundojnë me vdekje do të uleshin në zero.

Sponsor 3M Express

Katër vjet pas miratimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, vrasja e Arlinda Zekajt ka nxjerrë në pah kontrastit e rëndë, nërmjet asaj që përpilohet e miratohet dhe asaj që ndodh.

Gruaja nga Peja u vra më 25 tetor 2026, megjithëse kishte kërkuar mbrojtje institucionale, kishte siguruar urdhër mbrojtës dhe kishte raportuar kërcënime.

Strategjia 131-faqëshe, e hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe e miratuar në janar 2022, përcaktonte detyrime konkrete për institucionet që duhej të parandalonin pikërisht raste të tilla.

Premtimi për zero vrasje deri më 2026

Në faqen 55 të dokumentit, nën objektivin strategjik “Parandalimi dhe identifikimi i dhunës”, Qeveria kishte përcaktuar një tregues për rastet fatale.

Si vlerë bazë përmendeshin 13 vrasje në familje gjatë vitit 2020, ndërsa synimi për vitin 2024 ishte ulja e tyre përgjysmë.

Për vitin 2026, dokumenti përcaktonte shprehimisht synimin: “Zvogëluar me 100%”.

Strategjia parashikonte se zbatimi i suksesshëm i masave do të shmangte përfundimin fatal të rasteve të dhunës ndaj grave.

Policia dhe detyrimi për vlerësimin e rrezikut

Një nga çështjet më serioze lidhet me veprimet e Policisë së Kosovës, së cilës strategjia i ngarkon përgjegjësi të drejtpërdrejta për mbrojtjen e viktimave.

Në faqen 24, dokumenti përcakton:

“Ndërhyrja e menjëhershme e policisë përfshin kryerjen e një vlerësimi të duhur të rrezikut të situatës”.

Po aty, strategjia kërkon vlerësimin e mundësisë së përsëritjes së dhunës dhe sigurimin e shërbimeve të nevojshme për viktimën.

Madje, dokumenti është i qartë edhe për një detyrim tjetër: “Policia duhet të ketë një plan adekuat të mbrojtjes për viktimën”.

Në rastin e Arlinda Zekajt, prokuroria ka konfirmuar se më 22 tetor ishte vlerësuar që kthimi i menjëhershëm i saj në banesën e përbashkët mund të rrezikonte sigurinë.

Megjithatë, tri ditë më vonë, Zekaj u kthye në banesë, ku më pas u vra.

A ishte hartuar një plan konkret sigurie? A ishte rivlerësuar rreziku? Kush e kishte autorizuar kthimin dhe mbi çfarë vlerësimi?

Prokuroria dhe përgjegjësia për parandalimin

Strategjia përcakton detyrime të veçanta edhe për prokurorët, duke theksuar se masat duhet të përshtaten me rrezikshmërinë e secilit rast.

Në faqen 26 shkruhet:

“Prokurorët kanë për obligim t’i ndërmarrin masat e nevojshme varësisht nga vlerësimi i rrezikshmërisë së rastit konkret të dhunës në familje”.

Zekaj kishte kërkuar ndërhyrje më 22 tetor, ndërsa më 23 tetor Prokuroria ngriti aktakuzë për kanosje ndaj ish-bashkëshortit, Jeton Sylaj.

Aktakuza u pranua nga Gjykata më 26 tetor, një ditë pas vrasjes.

Prokuroria thotë se kërkesat e viktimës u trajtuan seriozisht dhe se kryeprokurorja kishte kërkuar veprime urgjente nga institucionet përgjegjëse.

Por, Arlinda Zekaj u vra.

Gjykata, fëmija dhe Qendra për Punë Sociale

Më 7 shtator, Gjykata Themelore në Pejë kishte miratuar pjesërisht kërkesën e Zekajt për mbrojtje, duke mos aprovuar fillimisht pjesën për besimin e fëmijës.

Më 16 tetor, kërkesa u miratua tërësisht dhe urdhri mbrojtës u caktua për gjashtë muaj.

Përgjegjësia për zbatimin e tij, sipas Prokurorisë, i ishte ngarkuar Policisë së Kosovës.

Ndërkohë, strategjia përcakton se Qendra për Punë Sociale duhet të sigurojë menaxhimin e rastit dhe koordinimin e shërbimeve mbrojtëse.

Rëndësia e kësaj dispozite shtohet nga deklaratat e avokates Adelina Hoxha, sipas së cilës Zekaj dëshironte të kthehej pranë djalit.

Prandaj kërkohet sqarim nëse QPS-ja kishte hartuar plan mbrojtës që përfshinte nënën dhe fëmijën, pa e ekspozuar viktimën ndaj rrezikut.

Përgjegjësia politike e Ministrisë së Drejtësisë

Strategjia nuk i lë përgjegjësitë vetëm te institucionet që trajtojnë rastet individuale.

Në faqen 51 përcaktohet se Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e Koordinatores Nacionale janë përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të saj.

Dokumenti ia ngarkon kësaj zyre mbledhjen e të dhënave, hartimin e raporteve dhe koordinimin ndërinstitucional.

Madje, në faqen 52, monitorimit i caktohet edhe funksioni i paralajmërimit të institucioneve për problemet përpara se situata të bëhet kritike.

Kjo e vendos Ministrinë e Drejtësisë dhe drejtuesit e mekanizmave koordinues përballë përgjegjësisë së llogaridhënies për efektivitetin e politikës shtetërore.

Vrasja e Arlinda Zekajt ndodhi në vitin kur Qeveria kishte planifikuar eliminimin e rasteve fatale të dhunës në familje.

Tani, institucionet duhet të shpjegojnë jo vetëm çfarë veprimesh ndërmorën, por përse mekanizmat e parashikuar për mbrojtjen e saj nuk arritën ta parandalonin vrasjen./Nacionale

Lexo edhe

Dosja për kanosjen ndaj Arlinda Zekajt: “Kam me të mbyt, kam me të ngre zhag”

Dosja për kanosjen ndaj Arlinda Zekajt: “Kam me të mbyt, kam me të ngre zhag”

“Asgjë nuk do të jetë më si më parë”: Çfarë e pret Listën Serbe pas humbjes së Vuçiqit?

“Asgjë nuk do të jetë më si më parë”: Çfarë e pret Listën Serbe pas humbjes së Vuçiqit?

Crans-Montana planifikon dy memoriale për 41 viktimat e zjarrit tragjik në Zvicër

Crans-Montana planifikon dy memoriale për 41 viktimat e zjarrit tragjik në Zvicër

Para 4 vitesh, Qeveria Kurti synonte zero raste fatale ndaj grave deri më 2026 | Momenti