Komisioni për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport, i kryesuar nga deputeti Arsim Ademi, shqyrton raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2025, ku po raporton ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli-Dalipi.

Gjatë raportimit, Pacolli-Dalipi ka thënë se përgjegjësia për menaxhimin e mbeturinave komunale dhe mbikëqyrjen e deponive ilegale u takon komunave, por pavarësisht nga kjo, ministria ka ndarë një milion euro nga buxheti i vitit 2026 për eliminimin e tyre.
Ajo ka bërë të ditur se deri më tani, në bashkëpunim me kompanitë rajonale, janë mbledhur mbi 8 mijë tonë mbeturina nga deponitë ilegale në territorin e Kosovës.
“Përgjegjësia e drejtpërdrejtë për menaxhimin e mbeturinave komunale, përfshirë grumbullimin, transportimin, trajtimin, eliminimin dhe mbikëqyrjen e deponive ilegale, u takon komunave. Ministria nuk ka kompetenca në menaxhimin dhe eliminimin e deponive ilegale, por pavarësisht kësaj, duke parë gjendjen e rëndë në terren, nga buxheti i vitit 2026 kemi ndarë një milion euro për eliminimin e tyre. Deri tani kemi arritur të mbledhim mbi 8 mijë tonë mbeturina, në bashkëpunim me kompanitë rajonale”, ka thënë ajo.
Ministrja ka folur edhe për planet infrastrukturore në menaxhimin e mbeturinave, duke përmendur ndërtimin e një qendre moderne për trajtimin dhe riciklimin e mbeturinave në rajonin e Prishtinës, si dhe procedurat për mbylljen e deponisë së Mirashit.
Ndërkaq, sa i përket Ligjit të ri për mbeturinat, Pacolli-Dalipi ka thënë se ai ndodhet në fazën finale dhe se janë duke u marrë komentet e fundit.
“Ligji i ri për mbeturinat është në fazën finale dhe jemi duke i marrë komentet e fundit. Në këtë ligj do të ketë trajtim ndryshe të mbeturinave dhe qasje të re ndaj komunave. Po ashtu, do të integrohet skema e kthimit të depozitës dhe përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit, në mënyrë që barrën e mbeturinave që krijohen t’ua bartim prodhuesve, atyre që i krijojnë mbeturinat”, ka deklaruar ajo.
Duke folur për progresin e evidentuar në raportin për gjendjen e mjedisit, ministrja ka përmendur rritjen e trajtimit të ujërave të zeza nga një në 11 për qind, si dhe përmirësimet e para në lumenjtë e pellgut të Drinit të Bardhë.
Ajo ka vlerësuar edhe ndikimin e politikës për pagesën e qeseve plastike, duke thënë se kjo ka ndikuar në uljen e konsumit të tyre në Kosovë.
“Progresi më i dukshëm mjedisor në Kosovë është shënuar me rritjen e trajtimit të ujërave të zeza, ku raporti evidenton se nga 1 për qind ka arritur në 11 për qind, ndërsa përmirësimet e para konkrete janë parë te lumenjtë e pellgut të Drinit të Bardhë. Po ashtu, është shënuar ulje e konsumit të qeseve plastike, që tregon se politika e vendosjes së pagesës për qeset plastike ka dhënë rezultat. Për kokë banori, ne përdorim 55 qese në vit, ndërsa mesatarja në BE është 66.6”, ka thënë Pacolli-Dalipi.
Sipas saj, gjatë vitit 2025 është ruajtur cilësia e lartë e ujit të pijshëm, e cila arrin në 98.75 për qind, ndërsa në sektorin e ajrit nuk është regjistruar asnjë tejkalim i vlerave kufitare mesatare vjetore në krahasim me standardet e Bashkimit Evropian.
Pacolli-Dalipi ka përmendur edhe përparimin në politikat klimatike, duke theksuar se objektivi i përcaktuar është ulja e gazrave serrë për 16.3 për qind deri në vitin 2030.
Ajo ka folur edhe për sipërfaqet e mbrojtura natyrore, duke thënë se Kosova ka arritur në 11.56 për qind të territorit të mbrojtur, ndërsa objektivi i Bashkimit Evropian është 30 për qind.
“Sa i përket mbrojtjes së natyrës, është marrë vendim për mbrojtjen e malit të Moknës dhe liqenit të Ujmanit. Sipërfaqja e mbrojtur ka arritur në 11.56 për qind dhe kjo është evidentuar edhe në Raportin e Progresit, ku Kosova renditet e para në Ballkan sa i përket sipërfaqes së mbrojtur. Kriteri i BE-së është 30 për qind. Është një rrugë e gjatë për të arritur deri aty, mirëpo me punë të përditshme dhe aktivitete besoj se mund t’ia dalim”, ka deklaruar ajo. /kp/





