Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se Ministria ka shqiptuar gjoba ndaj disa komunave dhe kompanive rajonale të mbeturinave për dështimet në menaxhimin e tyre.

Në një konferencë për media, Pacolli ka njoftuar se Komuna e Istogut është gjobitur me 5 mijë euro, ndërsa ndaj kompanive rajonale të mbeturinave janë shqiptuar disa gjoba.
Kompania “Ambienti” në Pejë është gjobitur dy herë, me nga 5 mijë dhe 2 mijë euro, ndërsa kompania “Higjiena” në Deçan është gjobitur me 2 mijë euro.
Ministrja ka thënë se gjendja me menaxhimin e mbeturinave në disa komuna të Kosovës është shqetësuese dhe se institucionet qendrore nuk mund të qëndrojnë pasive përballë situatave që rrezikojnë shëndetin publik dhe mjedisin.
Pacolli ka bërë të ditur se përmes programit për pastrimin e deponive ilegale, për të cilin janë ndarë një milion euro për kompanitë rajonale, janë larguar mbi 8 mijë tonë mbeturina.
Sipas saj, ky proces ka nxjerrë në pah gjendjen e rëndë të kompanive rajonale, të cilat përballen me keqmenaxhim dhe mungesë kritike të mjeteve të punës.
Për këtë arsye, ministrja ka njoftuar se është planifikuar buxhet shtesë për ndërhyrje të drejtpërdrejta në situatat kur komunat ose rajonet dështojnë në menaxhimin e mbeturinave.
Pacolli ka paralajmëruar se kontrollet në terren do të vazhdojnë, përfshirë monitorimin përmes dronëve dhe kamerave, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që mbeturinat t’i dërgojnë në deponitë e licencuara.
Ajo ka bërë të ditur se deponitë legale në rajone janë të hapura çdo të shtunë dhe se qytetarët që hedhin mbeturina në vende të ndaluara do të përballen me masa ndëshkuese.
Ministrja ka folur edhe për deponinë ilegale në Zveçan, e cila, sipas saj, paraqet rrezik për ndotjen e lumit, përhapjen e zjarreve në pyjet përreth dhe shëndetin publik, shkruan Telegrafi. Ajo ka njoftuar se është përcaktuar lokacioni për deponinë e re, të ndërtuar me investime të Bashkimit Evropian, dhe se është arritur pajtim në parim për hapjen e saj së shpejti.
Pacolli ka njoftuar gjithashtu se reforma në menaxhimin e mbeturinave do të përfshihet në ligjin e ri për menaxhimin e integruar të tyre. Ligji parasheh sistemin e kthimit të depozitës për shishet e plastikës dhe të qelqit, si dhe përgjegjësi më të madhe të prodhuesve për trajtimin e mbetjeve, përfshirë gomat, bateritë dhe pajisjet elektrike shtëpiake.
Sipas saj, parashihet edhe ndarja e Kosovës në pesë zona të menaxhimit, me synim rritjen e riciklimit dhe shndërrimin e mbeturinave në vlerë ekonomike.
Në fund, ministrja ka bërë të ditur se afati për aplikim në skemën e mbështetjes financiare për bizneset e reja dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që investojnë në riciklim, menaxhim të mbeturinave dhe ekonomi qarkore do të zgjatet edhe për 15 ditë. Bizneset përfituese, në bashkëpunim me UNDP-në, do të marrin edhe mbështetje profesionale. /Telegrafi/




