Avokatja Blinera Osmani, në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ka kritikuar institucionet e Kosovës për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, duke e cilësuar vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë si dëshmi të dështimit të mekanizmave shtetërorë për mbrojtjen e grave.

Osmani theksoi se neglizhenca e autoriteteve ka çuar në humbjen e jetës së tetë grave vetëm këtë vit.
“Rasti i Arlindës është treguesi më i qartë i dështimit të autoriteteve tona në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Neglizhenca që autoritetet tona e tregojnë në vazhdimësi në trajtimin e viktimave të dhunës në familje ka çuar në tetë viktima vetëm këtë vit, tetë vrasje”, deklaroi Osmani.
Ajo kritikoi edhe vendimin për kthimin e viktimës në shtëpi, duke theksuar se përgjegjësia për vlerësimin e rrezikut nuk duhet t’i lihet vetë viktimës.
“Policia në këtë rast nuk mund t’ia lërë përgjegjësinë e vlerësimit të rrezikshmërisë viktimës. Për atë arsye janë autoritetet që t’i vlerësojnë këto rrethana dhe të vendosin se ku duhet të qëndrojë viktima, e jo ta lënë atë të vendosë nëse dëshiron të kthehet në shtëpinë ku është dhunuar në vazhdimësi”, u shpreh ajo.
Osmani ngriti shqetësime edhe për zbatimin e urdhrave mbrojtës, duke thënë se në praktikë ato shpesh nuk garantojnë sigurinë e grave, veçanërisht kur duhet të realizohen kontaktet e prindërve me fëmijët./Klankosova.tv




