Sot, më 29 tetor, në orën 18:00, përfundon afati që kryeministri Albin Kurti i ka dhënë Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për dorëzimin e raporteve të detajuara lidhur me veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë.

Kryeministri ka kërkuar që të identifikohen lëshimet e mundshme në secilën hallkë institucionale që kishte përgjegjësi për trajtimin e rastit të 49-vjeçares, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, të mbajtur të mërkurën, Kurti kishte paralajmëruar se raportet do të bëhen publike.
“Kanë mbetur 34 orë për hartimin dhe dorëzimin e këtij raporti. Nesër mbrëma, para orës 18:00, pres raportet dhe sigurisht se do ta ndaj me publikun”, kishte deklaruar Kurti.
Afati i vendosur nga kryeministri vjen në kohën kur Këshilli Prokurorial i Kosovës tashmë ka ndërmarrë masa ndaj dy zyrtareve të Prokurorisë Themelore në Pejë.
Siç raportoi Gazeta Sinjali, KPK-ja ka suspenduar kryeprokuroren Lumturije Vuçetaj dhe koordinatoren për dhunë në familje, Arlinda Nallbani Gacaferri.
Ndaj të dyjave janë iniciuar edhe procedura disiplinore, me qëllim të vlerësimit të përgjegjësisë së mundshme lidhur me veprimet apo mosveprimet gjatë trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt.
Vendimet janë marrë pas rekomandimeve të Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, bazuar në raportin e hartuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur veprime hetimore dhe verifikuese për mënyrën se si zyrtarët policorë i kanë trajtuar raportimet e viktimës.
Por, përderisa në sistemin prokurorial tashmë janë ndërmarrë masa, mbetet të shihet se çfarë do të konstatojnë raportet e dy ministrive dhe nëse do të identifikohen përgjegjësi të tjera institucionale.
Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të fuqishme publike, protesta dhe kërkesa për dorëheqje e shkarkime të zyrtarëve përgjegjës.
Gazeta Sinjali kishte raportuar për dokumentin e datës 22 tetor, përmes të cilit Arlinda kishte kërkuar masa urgjente mbrojtëse nga Prokuroria Themelore në Pejë, vetëm tri ditë përpara se të vritej.
Tashmë, vëmendja është përqendruar te ora 18:00, kur pritet të përfundojë afati për dorëzimin e raporteve. Mbetet të shihet nëse gjetjet do të çojnë në masa të tjera ndaj zyrtarëve institucionalë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali




