Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të gjerë antidrogë në rajonin e Prishtinës, ku ka goditur një grup të organizuar të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës.

Operacioni, i koduar “Heshtja”, është realizuar më 14 nëntor nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas një hetimi të gjatë.
Gjatë aksionit, në të cilin kanë marrë pjesë edhe Njësia e Reagimit të Shpejtë, njësitë policore të kryeqytetit, Forenzika dhe Njësia K9, janë bastisur disa lokacione dhe janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar. Një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Gjatë operacionit dhe vazhdimit të tij, Policia ka sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, si dhe sasi të tjera të dyshuara narkotike, përfshirë marihuanë, një substancë të panjohur dhe tableta të dyshuara ekstazie.
Po ashtu, janë konfiskuar rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme, gjashtë vetura, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan, si dhe telefona mobilë, pajisje elektronike, pajisje për vëzhgim dhe komunikim.
Në mesin e gjësendeve të sekuestruara janë edhe ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, stoli të çmuara, një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e narkotikëve.
Sipas vlerësimeve të Policisë, vetëm kokaina e sekuestruar ka një vlerë të mundshme prej rreth 111 mijë eurosh në tregun e rrugës, ndërsa vlera e përgjithshme e drogës dhe aseteve të konfiskuara arrin në rreth 301 mijë euro.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjashtë të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.
Operacioni është zhvilluar nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ndërsa Policia ka bërë të ditur se hetimet dhe veprimet operative janë duke vazhduar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




