Infeksionet e reja me HIV mund të fillojnë të rriten nga viti i ardhshëm, pasi shkurtimet e financimit ndërkombëtar dhe fushatat kundër të drejtave të njeriut po rrezikojnë progresin e arritur në luftën kundër kësaj sëmundjeje. Kështu ka paralajmëruar të martën drejtuesja ekzekutive e UNAIDS-it, Winnie Byanyima, transmeton klankosova.tv.

Ajo ka thënë se bota është shumë pranë arritjes së synimit për t’i dhënë fund epidemisë së AIDS-it, por ka paralajmëruar se mungesa e fondeve dhe kufizimi i të drejtave të njeriut mund t’i zhbëjnë përparimet e deritanishme.
“Jemi në prag të përfundimit të AIDS-it – kjo ka qenë një nga historitë më të mëdha të suksesit në shëndetin global. Por pikërisht kur duhet ta përmbyllim këtë përpjekje, shkurtimet e fondeve dhe cenimi i të drejtave të njeriut po kërcënojnë të na i marrin arritjet”, deklaroi Byanyima për Reuters.
Ajo theksoi se, ndonëse të dhënat përfundimtare ende nuk janë në dispozicion, tashmë janë vërejtur shenja të përkeqësimit të situatës. Sipas saj, të dhënat që do të publikohen në vitin 2027 mund të pasqyrojnë rritje të numrit të infeksioneve të reja.
Të dhënat më të fundit të UNAIDS-it, të publikuara të martën, tregojnë se gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 1.2 milion infeksione të reja me HIV, shifra më e ulët e regjistruar ndonjëherë.
Kjo paraqet një rënie të konsiderueshme krahasuar me vitin 1994, kur numri i infeksioneve të reja kishte arritur kulmin me 3.5 milionë raste.
Megjithatë, pavarësisht këtij progresi, financimi ndërkombëtar për luftimin e HIV-it ka shënuar rënie prej gati 20 për qind gjatë vitit të kaluar.
Byanyima paralajmëroi se pasojat e mungesës së financimit mund të bëhen të dukshme së shpejti, pasi disa shtete po hasin vështirësi në mbulimin e boshllëkut financiar me burimet e tyre.





