Nvidia ka angazhuar firmën ligjore nga Nju Jorku, “Wachtell, Lipton, Rosen & Katz”, për të hetuar lidhjen midis drejtorit të saj ekzekutiv dhe një personi që dyshohet se është spiune kineze.

Jensen Huang, bashkëthemelues i Nvidia-s – i cili e ka udhëhequr kompaninë drejt shndërrimit në një nga më të vlefshmet në botë – pranoi se ka pasur një marrëdhënie romantike me një grua jashtë martesës së tij.
Gruaja në fjalë, Alice Huang, dyshohet se është spiune për llogari të Pekinit.
Ajo ka qenë drejtuese në kompaninë singaporiane “Megaspeed”, e cila ka qenë kliente e Nvidia-s.
Të martën, Nvidia njoftoi se avokati i firmës “Wachtell”, Joon Kim, do të drejtojë “një hetim të plotë dhe të pavarur” lidhur me marrëdhënien e Jensen Huang. Edhe FBI-ja po kryen hetimet e veta.
Nvidia konsiderohet gjerësisht si një nga kompanitë më të rëndësishme që qëndron pas hovit të inteligjencës artificiale (IA) në SHBA, duke qenë se është prodhuesi i vetëm i një çipi kompjuterik thelbësor, i domosdoshëm për funksionimin e suksesshëm të mjeteve të inteligjencës artificiale.
Të martën, aksionet e kompanisë ranë në nivelin më të ulët të vitit, duke “fshirë” më shumë se 500 miliardë dollarë nga vlera e tregut të Nvidia-s që nga e premtja; kjo ndodhi ndërkohë që aksionet e sektorit teknologjik ishin rimëkëmbur pas shitjeve masive të javës së kaluar.
Marrëdhënia e Jensen Huang me një drejtuese të një kompanie kliente të Nvidia-s – për të cilën qeveria amerikane beson gjithashtu se spiunon për Kinën – ngre çështje që lidhen me biznesin dhe sigurinë kombëtare.
Kompania “Megaspeed” ishte vënë nën dyshim se kishte ndihmuar në dërgimin e çipave të Nvidia-s drejt Kinës; një shqetësim për të cilin Nvidia ka deklaruar se është hetuar dhe hedhur poshtë.
Sipas “New York Times”, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, u dërgoi një memo zyrtarëve të lartë në Uashington gjatë pranverës së këtij viti, duke paralajmëruar se kreu i Nvidia-s kishte një marrëdhënie të ngushtë me një spiune kineze.
Pekini i ka hedhur poshtë pretendimet se Jensen Huang është vënë në shënjestër, ndërsa Ministria e Jashtme kineze deklaroi se këto akuza kanë për qëllim “të njollosin dhe të shpifin ndaj Kinës”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të hënën se kishte biseduar me Jensen Huang, i cili i kishte thënë: “Nuk e kisha idenë se ajo ishte spiune”.
Trump u shpreh se i beson atij.
Kur njoftoi të dielën se do të hetonte çështjen, bordi i Nvidia-s deklaroi se nuk kishte asnjë arsye për të besuar se sekretet e kompanisë ose siguria kombëtare ishin cenuar.
Megjithatë, kjo situatë ka tërhequr vëmendjen politike.
Drejtuesit e Komitetit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve i kanë kërkuar Jensen Huang-ut që të paraqitet javën e ardhshme për një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura.
Kreu i Nvidia-s ende nuk ka bërë të ditur nëse do të marrë pjesë, bëri të ditur për BBC-në një person i njohur me kërkesën e komitetit. /Telegrafi/





