Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi mikpriti sot në një takim komandantin e ri të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Roberto Vergori, me të cilin diskutoi mbi rolin e këtij misioni në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, si dhe kontributin e tij në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Gjatë takimit, Nufi nënvizoi rëndësinë e veçantë që KFOR-i ka për Shqipërinë.

“KFOR-i ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë . Kontributi ynë i vazhdueshëm dhe i palëkundur në këtë #mision dëshmon rëndësinë e veçantë që i kushtojmë mandatit dhe rolit të tij në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në mbarë rajonin.Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj përgjegjësive të saj si anëtare e përkushtuar e NATO-s, duke vijuar të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për një rajon më të sigurt, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt bashkëpunimit. Shumë mbarësi në këtë mandat, Gjeneralmajor Vergori!”, ka shkruar Nufi në facebook”.
Burimi: RTKLive




