Dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme janë plagosur me thikë sot nga një shtetas gjerman, gjatë një ndërhyrjeje policore në Pjetroshan, Malësi e Madhe.

Policia bëri të ditur se rreth orës 17:30, në sallën operative të DVP Shkodër, ka njoftuar shtetasi A. Q., 27-vjeç, se gjatë udhëtimit me automjetin e tij, nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër dyshohet se i kishte hedhur benzinë mbi automjet, në afërsi të një pike karburanti pranë pikës së kalimit kufitar.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë ndaluar automjetin e dyshuar në Pjetroshan.
Drejtuesi i këtij automjeti, shtetasi gjerman J. K., 47-vjeç, ka refuzuar të identifikohet dhe, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij, ka goditur me mjet prerës dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme, S. B. dhe I. S., të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë neutralizuar dhe shoqëruar 47-vjeçarin në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /ATSH




