Gazetari, Ermal Panduri ka bërë të ditur se një biznesmene, e cila ka kërkuar të mbetet anonime ka marrë përsipër shlyerjen e borxhit prej 8 mijë e 84 eurosh të Arlinda Zekajt.

Sipas Pandurit, një i afërm i Arlindës, i cili kishte qenë garantues për kredinë, ka pranuar që nga dita e premte mesazhe të vazhdueshme nga Banka Financiare Kreditimi Rural i Kosovës, lidhur me vonesat në pagesën e kësteve të kredisë.
Panduri ka bërë të ditur se shuma e papaguar arrin në 8 mijë e 84 euro, ndërsa ka njoftuar se një grua nga bota e biznesit ka shprehur gatishmërinë për ta shlyer të gjithë borxhin.
“Një i afërm i Arlindës ka pranuar qysh të premten plot mesazhe për vonesa në pagesë të kredive për Arlinda Zekaj. Diku 8 mijë e 84 euro kanë mbetur pa paguar, për çka i janë dërguar një të afërmi të Arlindës, i cili ka qenë garantues, mesazhe të vazhdueshme nga Banka Financiare Kreditimi Rural i Kosovës, të cilat thoshin se duhet të bëhet pagesa e këstit”, ka deklaruar Panduri.
Ai ka bërë të ditur se biznesmenja ka kërkuar që identiteti i saj të mos bëhet publik.
“Sot dua të them që një biznesmene, një grua e cila nuk ka dashur ta publikoj emrin dhe më takon mua që të jem transparent, që kjo shumë do të shlyhet nga kjo grua e cila nuk ka dashur që ta bëj publike emrin”, ka thënë Panduri. /Telegrafi/




