Xhiroja e 11-të e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll nis sot, të premten, me përballjen mes Gjilanit dhe Llapit, e cila zhvillohet nga ora 18:00 në stadiumin me bar artificial në Gjilan.

Të dyja skuadrat synojnë pikë të rëndësishme për të përmirësuar pozitat e tyre në tabelë dhe për të vazhduar garën në kampionat.
Gjilani vjen në këtë ndeshje pas fitores së parë nën drejtimin e trajnerit Zekirija Ramadani dhe synon të vazhdojë me rezultate pozitive. Në anën tjetër, Llapi, i drejtuar nga Tahir Batatina, kërkon të marrë pikë pas një fillimi të vështirë të sezonit.
Xhiroja e 11-të vazhdon të shtunën me dy ndeshje. Vushtrria përballet me Ballkanin nga ora 14:00, ndërsa Drenica takohet me Malishevën në orën 18:00.
Dy ndeshjet e fundit zhvillohen të dielën. Feronikeli ’74 përballet me Dukagjinin, ndërsa vëmendja kryesore do të jetë te derbi mes Prishtinës dhe Dritës. Të dyja takimet janë planifikuar të nisin nga ora 13:00.
Kjo xhiro sjell përballje të rëndësishme për skuadrat e Superligës, të cilat synojnë të sigurojnë sa më shumë pikë në vazhdim të kampionatit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




