Ka nisur pastrimi i mbeturinave përgjatë lumit Drini i Bardhë, në zonën e Krushës, falë një iniciative vullnetare të një firme lokale dhe një peshkatari.

Lajmi është bërë i ditur nga Federata e Peshkatarëve Sportivë dhe Rekreativë të Kosovës (FPSRK), e cila ka njoftuar se aksioni ka filluar të enjten, më 29 tetor 2026.
Kryetari i FPSRK-së, Milaim Vitia, i ka falënderuar organizatorët e kësaj iniciative për angazhimin dhe kontributin e tyre në mbrojtjen e mjedisit dhe të ujërave.
Nga kjo federatë kanë theksuar se do të vazhdojnë të mbështesin iniciativat që synojnë ruajtjen e lumenjve, pastërtinë e tyre dhe mbrojtjen e peshqve në ujërat e Kosovës.
“Uji i pastër është jetë, ndërsa mbrojtja e lumenjve është përgjegjësi e të gjithëve!”, thuhet në njoftimin e FPSRK-së. /Telegrafi/




