Nga ëndrra e fëmijërisë te fanella e vendlindjes, futbollistët që zgjodhën Kosovën para shteteve të Evropës

Nga ëndrra e fëmijërisë te fanella e vendlindjes, futbollistët që zgjodhën Kosovën para shteteve të Evropës

Nga ëndrra e fëmijërisë te fanella e vendlindjes, futbollistët që zgjodhën Kosovën para shteteve të Evropës

Ëndrra evropiane ka qenë thuajse gjithmonë një ëndërr që ka qëndruar në sirtarët e të rinjve shqiptarë.

Sponsor 3M Express

Jetesa në vendet e zhvilluara, përfitimet më të mira materiale, por edhe avancimi në shëndetësi dhe arsim që faktikisht është në këto shtete, kanë bërë që shqiptarët, në një formë apo tjetër, t’i synojnë këto destinacione.

Ndërsa, ana tjetër e medaljes ka qenë një ide, e cila as që ka shkuar ndonjëherë nëpër mend.

Pra, një rikthim i mundshëm i mërgimtarëve në Kosovë, për ta zhvilluar karrierën e tyre, ka qenë diçka absurde për shumëkë.

Por, kohëve të fundit, kjo temë më nuk është tabu. Ka shumë shqiptarë të diasporës që janë kthyer në vendlindjen e të parëve të tyre, për ta dhënë kontributin në fusha të ndryshme, sidomos në sport.

Nga kjo kategori, janë disa emra që kanë lënë Zvicrën apo Gjermaninë për të luajtur në ekipet e futbollit kosovar, madje, edhe në Kombëtaren e Kosovës.

Ndër ta janë edhe Arjanit Fazlija, që la Gjermaninë për FC Prishtina dhe Dior Gerbovci, që la Zvicrën për Gjilanin.

Por, çfarë i shtyu këta të rinj që ta merrnin këtë vendim?

Në një intervistë për Telegrafi Diasporë, Arjanit Fazlija tha se futbolli ka qenë arsyeja kryesore që ai u kthye në Kosovë, madje, tregoi edhe se a i doli jetesa në shtetin amë, ashtu siç e ka menduar. Fazlija ka lindur në Koln të Gjermanisë, është mesfushor defensiv kosovar që u formua në akademinë e Viktoria Kolnit dhe më pas kaloi te Bayer Leverkuseni U19, ku luajti nga viti 2022 deri më 2024. Më pas vazhdoi karrierën te Greuther Fürth II. Fazlija ka përfaqësuar Kosovën nga grupmoshat U15, U17 dhe U19, deri te U21-shi, me të cilin ka regjistruar 10 paraqitje dhe një gol.

“Arsyeja kryesore e kthimit tim në Kosovë ishte karriera ime si futbollist. Futbolli ma dha këtë mundësi dhe unë vendosa ta ndjek këtë rrugë. E dija që më parë se jeta në Kosovë është më e përqendruar te familja sesa në Gjermani. Megjithatë, nuk e prisja që të ishte kaq shumë e orientuar nga familja. Kur e mendoj tani, e kuptoj se, në këtë aspekt, këtu është edhe më këndshëm sesa e kisha imagjinuar”, tha ai.

Për të njëjtën arsye në Kosovë është kthyer edhe Dior Gerbovci, i cili, në një prononcim për Telegrafi Diasporë, ndër të tjera ka folur edhe për formën se si u prit nga klubi dhe për dallimet që ka vërejtur mes Kosovës e Zvicrës. Dior Gërbovci u zhvillua si futbollist në Zvicër, në akademinë e Zürichut dhe te Grasshoppersi, përpara se në fillim të vitit 2026 të transferohej te Ferizaj. Në verën e po atij viti iu bashkua SC Gjilanit. Gërbovci ka përfaqësuar Kosovën në grupmoshën U19, me të cilën ka regjistruar 12 paraqitje dhe tri gola.

“Njerëzit këtu janë më të dashur dhe më të qasshëm. Kam gjetur ngrohtësi në klub, te shokët e skuadrës dhe njerëzit që e rrethojnë klubin. Normalisht, unë kam kaluar mirë edhe në klubin e GC Zurich, aty ku jam rritur dhe zhvilluar si futbollist, por këtu kam më shumë bashkëlojtarë që flasin shqip dhe ndihem më i lirshëm. I vetmi problem që qëndron këtu janë fushat, ambientet sportive. Një pjesë e madhe e fushave janë sintetike dhe normalisht që për ne lojtarët janë problem. Kemi filluar edhe të adaptohemi, mirëpo krahasuar me fushat natyrale dhe stadiumet në Zvicër, kuptohet që dallojmë shumë”, shtoi futbollisti.

Dallime padyshim që ka edhe në aspektin monetar, pasi dihet që futbolli në vendet evropiane paguhet shumë më shumë.

Por, a ishte pagesa faktor për Arjanitin?

“Mendoj se gjithçka varet nga klubi për të cilin luan dhe nga mënyra se si e negocion kontratën. Gjithçka reduktohet te raporti mes ofertës dhe kërkesës. Sigurisht, në Gjermani mund të fitosh dukshëm më shumë nëse je një nga futbollistët më të mirë atje. Pra, varet shumë nga situata jote personale dhe nga klubi”, tha Fazlija.

E për Diorin, fillimisht vjen karriera sportive, rritja si sportist, e më pas vijnë paratë.

“Këtu jemi për karrierën sportive, familje dhe të ardhmen. Nuk po e shikoj njëherë aspektin financiar, pasi që projekti sportiv për zhvillimin tim është në radhë të parë. Besoj shumë në potencial dhe të ardhmen, ndaj aspekti financiar do të vijë në shprehje më vonë për mua. Por, kam parë që edhe në Kosovë financat janë rritur shumë dhe futbollistët paguhen mirë”, tha Gerbovci.

Duke parë se si shkojnë gjërat në vend, ndoshta duke u lidhur edhe nga entuziazmi i rikthimit në vendlindje, a janë penduar këta dy të rinj që janë rikthyer në Kosovë?

Apo, thënë ndryshe, a do të jetë Kosova destinacioni ku ata do të qëndrojnë për kohë të gjatë?

Që të dy futbollistët kanë theksuar se nuk lidhen nga vendi ku luajnë, por nga ajo se çka japin dhe se çka marrin nga eksperienca e tyre.

“Jam në moshën 21-vjeçare, mendoj se është ende herët të them se dua të qëndroj vetëm në Kosovë. Jam dikush që dëshiron të njoh vende e mjedise të tjera dhe të fitoj përvoja të reja. Prandaj, po i marr gjërat ashtu siç vijnë dhe jam kurioz të shoh se në cilat vende do të luaj e do të jetoj përfundimisht. Për momentin, po e mbaj mendjen të hapur dhe po pres të shoh se çfarë rezervon e ardhmja”, ka thënë Fazlija për Telegrafin.

Kurse, Gerbovci tha se “synimi im është që nga kjo ligë dhe nga kjo eksperiencë të marr përvojën e duhur dhe të ngrihem në nivelet më të larta. Nuk lidhem për vendin se ku ndodhem, por për atë se ku do të shkoj në të ardhmen. Po mendoj vetëm në paraqitjet e mia dhe performancën time. T’i ndihmoj ekipit, t’i ndihmoj klubit t’i arrijë objektivat dhe së bashku të bëjmë hapat përpara”.

Si këta dy futbollistë ka edhe të tjerë, si Besar Halimi, që la Gjermaninë për FC Drita dhe Toni Domgjoni, që la Zvicrën për FC Ballkani, e që sot janë ndër futbollistët më të shkëlqyer në ligat kosovare.

Besar Halimi, i lindur në Frankfurt të Gjermanisë, është mesfushor ofensiv që ka bërë karrierë të madhe, ndërsa aktualisht luan te Drita e Gjilanit.

Ai e ka ndërtuar karrierën kryesisht në futbollin gjerman, duke luajtur për si Nurnberg, Stuttgart, Mainz 05 dhe SV Sandhausen, ndërsa ka pasur përvoja edhe te Brondby në Danimarkë, Riga FC në Letoni, Slask Wrocław në Poloni dhe Raja Casablanca në Marok. Me Kosovën debutoi në vitin 2015 dhe ka regjistruar 34 paraqitje e tri gola, të shënuara ndaj Letonisë, Lituanisë dhe Spanjës.

Pas aventurave në disa kampionate të huaja, Halimi është rikthyer në futbollin kosovar, ku me përvojën e tij synon të japë kontribut për Dritën dhe futbollin kosovar.

Emër tjetër i madh është edhe Ton Domgjoni, i cili ka lindur në Koprivnicë të Kroacisë dhe është rritur në Zvicër. Ai luan te Ballkani aktualisht. Ai u formua në akademinë e FC Zürichut, ku më pas u afirmua edhe në ekipin e parë, duke zhvilluar mbi 100 paraqitje dhe duke fituar Kupën e Zvicrës në sezonin 2017/18.

Në vazhdim të karrierës, Domgjoni luajti për Vitesse në Holandë dhe FC Koper në Slloveni, përpara se në vitin 2026 t’i bashkohej Ballkanit. Në nivel ndërkombëtar, ai përfaqësoi Zvicrën në grupmoshat e reja, përfshirë U21-shin, ndërsa më pas vendosi të luante për Kosovën.

Debutimin me fanellën e Kosovës e bëri më 24 mars 2022, në fitoren 5-0 ndaj Burkina Fasos, ku shënoi edhe golin e tij të parë për përfaqësuesen. Në total, Domgjoni ka regjistruar katër paraqitje dhe një gol me Kosovën.

Pra, ky është vetëm një profil, prej shumë dritareve të tjera që në Kosovë mund të hapen dhe të kihet sukses i padiskutueshëm.

Me potencialin që ka, Kosova ofron shumë për të rinjtë e saj!/Telegrafi/

Lexo edhe

Moti të enjten në Kosovë me diell e vranësira, priten edhe ca riga shiu

Moti të enjten në Kosovë me diell e vranësira, priten edhe ca riga shiu

Real Madridi mposht bindshëm Leipzigun

Real Madridi mposht bindshëm Leipzigun

Senatorja amerikane mesazh për protestat në Shqipëri: Mbroni qytetarët nga dhuna policore dhe luftoni korrupsionin

Senatorja amerikane mesazh për protestat në Shqipëri: Mbroni qytetarët nga dhuna policore dhe luftoni korrupsionin

Nga ëndrra e fëmijërisë te fanella e vendlindjes, futbollistët që zgjodhën Kosovën para shteteve të Evropës | Momenti