Sipas një studimi të publikuar nga NordVPN, gjatë vitit të fundit bisedat në rrjetin e errët (Dark Web) lidhur me vjedhjen e kartave të pagesave, të cilat më pas përdoren në portofolet digjitale të mashtruesve, janë pothuajse trefishuar.
Kartat e vjedhura, të përgatitura për t’u përdorur në platformat ”Apple” dhe ”Google”, shiten në tregun e zi online me një çmim që varion nga 3% deri në 5% të bilancit të disponueshëm në llogarinë bankare. Çmimit i shtohen edhe të dhënat personale të mbajtësit të kartës, të nevojshme për realizimin e transaksioneve mashtruese.

Sipas të dhënave të NordVPN, një kartë e shoqëruar me numrin e sigurimeve shoqërore ose kodin fiskal dhe datën e lindjes së mbajtësit kushton mesatarisht 18,15 dollarë, ndërsa në disa raste çmimi arrin deri në 23 dollarë. Ndërkohë, një kartë pa të dhëna personale shtesë shitet për rreth 11 dollarë.
Ndër teknikat më të përdorura nga mashtruesit është “vishing”, përmes së cilës ata telefonojnë viktimat duke u paraqitur si punonjës bankash dhe i bindin të zbulojnë kodet njëpërdorimëshe të sigurisë (OTP).
Një tjetër metodë është “SIM swapping”, që konsiston në transferimin e numrit të telefonit të viktimës në një kartë SIM të kontrolluar nga mashtruesit, duke u mundësuar këtyre të fundit të përgjojnë mesazhet dhe kodet e verifikimit.
Për këtë fenomen ka paralajmëruar edhe Ivano Asaro, drejtor i Observatorit të Pagesave Inovative në Politeknikun e Milanos, i cili thekson rëndësinë e ndërgjegjësimit të përdoruesve për rreziqet që shoqërojnë pagesat digjitale.
“Askush nuk duhet të komunikojë përmes telefonit kode sigurie, PIN apo kredenciale, edhe nëse telefonuesi pretendon se është përfaqësues i bankës apo një person i njohur. Duhet pasur parasysh se zëri i një personi mund të imitohet edhe përmes inteligjencës artificiale”, paralajmëron Asaro.
Ekspertët nënvizojnë se, megjithëse pagesat përmes telefonave inteligjentë dhe portofolet digjitale ofrojnë lehtësi dhe siguri, mbrojtja e të dhënave personale dhe kujdesi ndaj komunikimeve të dyshimta mbeten thelbësore për parandalimin e mashtrimeve financiare.
Burimi: RTKLive




