Nga 85 në 298 euro për një trup ndriçues LED 100W. Ky është dallimi në çmim mes dy kontratave të Komunës së Prishtinës për pajisje ndriçuese. Për të njëjtin kapacitet ndriçues, Komuna në kontratën e re ka paraparë të paguajë 213 euro më shumë për copë, ndonëse jetëgjatësia e deklaruar e pajisjes mbetet e njëjtë – 100 mijë orë.

Insajderi ka hulumtuar kontratat e mëparshme të Komunës së Prishtinës dhe i ka krahasuar ato me projektin “Programi për ofrimin e shërbimeve të energjisë në ulje të shpenzimeve financiare (SIPA UA 06 2021)”, të kontraktuar në vitin 2025, me vlerë të parashikuar prej 10 milionë eurosh.
Kontrata i është dhënë konsorciumit “FULI INŽENIRING SH.P.K. & Gregoric Elektromehanika d.o.o.”, ndërsa krahasimi i çmimeve dhe kushteve të garancisë nxjerr në pah dallime të konsiderueshme.
Ndriçuesi LED 150W nga 90 në 285 euro
Një nga dallimet më të mëdha vërehet te trupi ndriçues LED 150W, me specifikat IP66 dhe dimming.
Në kontratën e mëparshme të Komunës së Prishtinës, ky ndriçues ishte kontraktuar për 90 euro për copë. Ndërsa në projektin e ri, çmimi për të njëjtin kapacitet ndriçues është 285 euro.
Kontrata – Ndërtimi, zgjerimi dhe modernizimi i rrjetit te ndriçimit publik
Kjo nënkupton se Komuna ka kontraktuar këtë pajisje për 195 euro më shtrenjtë për copë, apo rreth 3.17 herë mbi çmimin e mëparshëm.
Kontrata 10 milionëshe, i njëjti ndriçues 285 euro
Dallime të ngjashme shfaqen edhe te ndriçuesit me kapacitet tjetër.
Edhe ndriçuesit 100W dhe 50W me çmime dukshëm më të larta
Trupi ndriçues LED 100W është kontraktuar në projektin aktual 10 milionësh për 298 euro për copë.
Në kontratën e mëparshme, çmimi referues për këtë pajisje ishte 85 euro.
Diferenca arrin në 213 euro për njësi, ndërsa çmimi i ri është rreth 3.5 herë më i lartë.
Ndërkaq, trupi ndriçues LED 50W është kontraktuar për 170 euro për copë, krahasuar me 50 euro në kontratën e mëparshme. Në këtë rast, çmimi është rritur për 120 euro, apo 3.4 herë.
E njëjta jetëgjatësi, por garanci të ndryshme
Përveç dallimeve në çmime, krahasimi i dokumentacionit nxjerr në pah edhe ndryshime në kushtet e garancisë.
Në kontratën aktuale, trupat ndriçues LED kanë garanci 10-vjeçare, ndërsa në kontratën e mëparshme garancia ishte pesëvjeçare.
Megjithatë, sa i përket jetëgjatësisë së deklaruar, të dyja kontratat parashohin 100 mijë orë për trupat ndriçues LED.
Kështu, në projektin e ri, Komuna ka siguruar pesë vjet më shumë garanci, por me çmime dukshëm më të larta për pajisjet. Në rastin e ndriçuesit LED 100W, çmimi është rritur nga 85 në 298 euro për copë, ndërsa jetëgjatësia e deklaruar ka mbetur e njëjtë.
Pajisja e njëjtë, çmimi 191 mijë për qind më i lartë
Një nga rastet më të theksuara të dallimeve në çmime është pajisja transmetuese e sistemit “Smart”.
Në kontratat e mëparshme të cilat i ka hulumtuar Insajderi del se Komuna e Prishtinës e kishte blerë këtë pajisje me çmim prej vetëm 1.20 eurosh për copë.
Por në kontratën e re 10 milionëshe, në pozicionin 12 të paramasës, e njëjta pajisje, me përshkrim dhe specifika teknike identike, është kontraktuar për 2 mijë e 300 euro për copë.
Kontrata ku u pagua 2 mijë e 300 euro për copë
Kjo paraqet një dallim prej 2 mijë e 298.80 eurosh për njësi, apo një rritje të çmimit prej rreth 191 mijë e 566 për qind krahasuar me kontratën e mëparshme.
Pra, për një pajisje që më parë paguhej 1.20 euro, në projektin aktual Komuna ka paraparë të paguajë 2 mijë e 300 euro.
Tenderi – Ndërtimi, zgjerimi dhe modernizimi i rrjetit te ndriçimit publik – 1.20 euro për copë.
Siguresa prej 50 centësh kontraktohet për 55 euro
Dallime të mëdha shfaqen edhe te pajisjet mbrojtëse elektrike.
Siguresa FID 4P 63/0.5A, të cilën Komuna e kishte kontraktuar më parë me çmim prej 50 centësh për copë, në tenderin milionësh është përfshirë me çmim prej 55 eurosh për copë.
Kontrata ku u pagua 50 cent për copë
Në pozicionin 72 të paramasës të kontratës programi për ofrimin e shërbimeve të energjisë në ulje të shpenzimeve financiare çmimi për këtë pajisje standarde është rritur për 10 mijë e 900 për qind krahasuar me kontratën e mëparshme.
Për këto kontrata Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale një denoncim për të cilën pretendon se ka pasur keqpërdorime dhe dëmtim të buxhetit të Komunës së Prishtinës/insajderi.org/
Burimi: Insajderi




