Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në vazhdën e zhvillimit të hetimeve të rastit të datës 04.10.2026, sot më 11.11.2026, në cilësi të të dyshuarave janë arrestuar dy persona të dyshuar.

Në njoftim bëhet e ditur se të dyshuarit janë intervistuar nën dyshimin për përfshirje në veprën penale ‘Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar’.
Dy të dyshuarit: H.L., dhe T.M., (meshkuj kosovarë), në cilësi të drejtorit të një kompanie, gjegjësisht tjetri si menaxher i saj, dyshohen që kanë pranuar dy grante në vlerë prej 575,736.00 euro.
“Granti i parë është fituar në vlerë prej 293,500.00 €. Dyshohet që nga shuma e përgjithshme e këtij garanti janë keqpërdorur 23,000.00 € duke paraqitur raportim të rrejshëm se linjat e shpenzimeve për blerjen e makinerive, janë realizuar në tërësi.
Granti i dytë është fituar në vlerë prej 282,236.00€, nga kjo shumë janë keqpërdorur 39,902.00€ duke paraqitur raportim të rrejshëm se linjat e shpenzimeve për blerjen e makinerive, janë realizuar në tërësi”, thuhet në njoftim.
Gjatë procesit hetimor është vërtetuar që të dyshuarit nga këto dy grante kanë arritur të keqpërdorin mjete monetare në vlerë prej 62,902.00 euro në tërësi.
Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokateve të tyre mbrojtës dhe më pas, me urdhër të prokurorit të rastit, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve. /Telegrafi/





