Nga 12 centë në 159 euro për metër katror – rritja marramendëse e çmimit për projektimin e urave në Mitrovicë

Nga 12 centë në 159 euro për metër katror – rritja marramendëse e çmimit për projektimin e urave në Mitrovicë

Nga 12 centë në 159 euro për metër katror – rritja marramendëse e çmimit për projektimin e urave në Mitrovicë

I njëjti operator ekonomik, i njëjti shërbim, por çmime deri në 132 mijë e 650 për qind më të larta në Komunën e Mitrovicës. Krahasimi i dy kontratave për hartimin e projekteve, njëra e lidhur në vitin 2024, kur komunën e drejtonte Bedri Hamza, dhe tjetra në vitin 2026, nën udhëheqjen e Faton Pecit, nxjerr në pah dallime të jashtëzakonshme në çmimet për pozicione me përshkrim të njëjtë.

Sponsor 3M Express

Gazeta Insajderi

Komuna e Mitrovicës së Jugut, e udhëhequr nga Faton Peci, më 20 qershor të këtij viti ka lidhur kontratë për hartimin e projekteve për investime kapitale.

Fitues i këtij tenderi është shpallur operatori ekonomik “INFRA TEK – Florije Jahaj”.

Por, kjo nuk është hera e parë që e njëjta kompani merr kontratë nga Komuna e Mitrovicës për shërbime të këtij lloji.

Një kontratë me titull “Hartimi dhe mbikëqyrja e projekteve për Investime Kapitale” ishte lidhur edhe në vitin 2024, në kohën kur komunën e drejtonte Bedri Hamza. Edhe atëherë, fitues ishte e njëjta kompani, “INFRA TEK – Florije Jahaj”.

Megjithatë, krahasimi i paramasave të dy kontratave nxjerr në pah dallime të konsiderueshme në çmimet e pozicioneve, edhe pse përshkrimi i shërbimeve ka mbetur i njëjtë.

Në kontratën e vitit 2024, për objektet e infrastrukturës ishte paraparë vlera prej 120 mijë eurosh, ndërsa në kontratën e vitit 2026 kjo vlerë figuron 210 mijë euro.

Dallim edhe më i madh vërehet te objektet e hidroteknikës. Në kontratën paraprake ishte paraparë vlera prej 120 mijë eurosh, ndërsa në kontratën e re kjo shifër ka arritur në 270 mijë euro.

Kontrata e vitit 2024

Kontrata e vitit 2026

Rritje prej 132 mijë e 650 për qind të çmimeve

Krahasimi i çmimeve për pozicionet me përshkrim të njëjtë tregon se në disa raste çmimet e kontraktuara në vitin 2026 janë shumëfish më të larta sesa ato të vitit 2024.

Dallimi më i madh vërehet te projektimi i urave.

Për këtë shërbim, në kontratën e vitit 2024 çmimi për metër katror ishte vetëm 0.12 euro. Ndërsa në kontratën e re, të lidhur në vitin 2026, i njëjti pozicion është evidentuar me çmim prej 159.30 eurosh për metër katror.

Pra, nga 12 centë në 159 euro e 30 centë për të njëjtën njësi matëse. Kjo paraqet rritje prej 132 mijë e 650 për qind krahasuar me kontratën e mëparshme.

Një tjetër pozicion ku vërehet dallim i madh është projektimi i renovimit të një objekti shëndetësor.

Edhe në këtë rast, çmimi për metër katror ka ndryshuar ndjeshëm. Në vitin 2024 ishte 0.12 euro, ndërsa në kontratën e vitit 2026 ka arritur në 23.60 euro.

Kjo nënkupton një rritje prej rreth 19 mijë e 567 për qind në raport me çmimin e kontraktuar dy vjet më parë.

Rritje të çmimeve janë evidentuar edhe në projektimin e objekteve arsimore

Për projektimin e shkollave, çerdheve dhe kopshteve si objekte të reja, çmimi në vitin 2024 ishte 2.36 euro për metër katror. Në kontratën e vitit 2026, ky çmim është rritur në 18.88 euro për metër katror.

Diferenca është 16.52 euro për metër katror, apo 700 për qind më shumë se në kontratën paraprake.

Edhe për riparimin e objekteve të tilla, çmimet kanë ndryshuar. Nga 9.44 euro për metër katror sa ishte çmimi në vitin 2024, në kontratën e re është rritur në 21.24 euro.

Kjo paraqet rritje prej 125 për qind.

Shtrenjtohet edhe projektimi i rrugëve dhe mureve mbrojtëse

Dallime në çmime vërehen edhe në pozicionet që kanë të bëjnë me projektimin e infrastrukturës rrugore.

Për projektimin e rrugëve me katër korsi, në kontratën e vitit 2024 çmimi ishte 1.18 euro për metër katror. Ndërsa në kontratën e vitit 2026, i njëjti pozicion është ngritur në 11.78 euro.

Kjo përkthehet në një rritje prej rreth 898 për qind.

Ndërkaq, për rrugët me dy korsi, çmimi ka ndryshuar nga 4.98 euro në 6.96 euro për metër katror.

Rritje ka edhe te projektimi i mureve mbrojtëse. Në kontratën e vitit 2024, çmimi ishte 0.12 euro për metër katror, ndërsa në kontratën e re ka arritur në 1.77 euro.

Edhe pse kjo rritje është më e vogël në krahasim me pozicionet e tjera, çmimi për të njëjtin shërbim është shumëfishuar në kontratën e vitit 2026.

Lidhur me këto dallime në çmime, shqetësime ka ngritur edhe asamblistja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Igballe Ismaili.

Në reagimin e saj, ajo ka kërkuar sqarime për arsyet që kanë çuar në ndryshime kaq të mëdha të çmimeve për shërbimet e njëjta dhe me të njëjtat njësi matëse.

“Çfarë ka ndryshuar që çmimet për të njëjtin shërbim dhe për të njëjtën njësi matëse kanë arritur këto nivele, përveç qeverisjes?”, ka pyetur ajo.

Gazeta Insajderi ka provuar të marrë përgjigje nga kompania “INFRA TEK – Florije Jahaj”, por nuk ka marrë përgjigje.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Drake shfaqet sërish me shqiponjën dykrenare, këtë herë me një varëse të artë

Drake shfaqet sërish me shqiponjën dykrenare, këtë herë me një varëse të artë

Të dërguarit amerikanë nesër në Moskë për takim me Putinin

Të dërguarit amerikanë nesër në Moskë për takim me Putinin

VLEN: Për 35 vjet studentët shqiptarë e dhanë jurisprudencën në maqedonisht, ne po e ndryshojmë këtë

VLEN: Për 35 vjet studentët shqiptarë e dhanë jurisprudencën në maqedonisht, ne po e ndryshojmë këtë