Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, përballet me një garë të ngushtë në zgjedhjet e së martës, në të cilat votuesit do të vlerësojnë udhëheqjen e tij pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, luftërave në Gaza dhe me Iranin, si dhe përkeqësimit të marrëdhënieve të Izraelit me pjesën tjetër të botës.
Megjithatë, Netanyahu, i cili ka kaluar gjithsej 19 vjet në krye të qeverisë dhe është kryeministri më jetëgjatë në historinë e Izraelit, mbetet një figurë e fuqishme politike. Sistemi i fragmentuar politik i vendit mund t’ia mundësojë atij formimin e një qeverie të re, pavarësisht rezultatit të ngushtë, raporton Reuters.

Sondazhet tregojnë një garë të ngushtë mes partisë së tij, Likud, së bashku me aleatët e djathtë, dhe një aleance rivale të udhëhequr nga Gadi Eisenkot, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, i cili mbështetet nga votues të krahut të djathtë dhe të qendrës.
Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00, ndërsa do të mbyllen në orën 22:00, sipas kohës lokale. Komiteti Qendror i Zgjedhjeve në Izrael ka njoftuar se rreth 7.3 milionë qytetarë kanë të drejtë vote, përfshirë rreth 330 mijë votues për herë të parë.
Gjatë fushatës, Netanyahu është mbështetur në udhëheqjen e tij gjatë luftës dhe në marrëdhëniet me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili e ka mbështetur atë dhe i është bashkuar Izraelit në luftën kundër Iranit.
Të dielën, Netanyahu deklaroi se Trump ishte i gatshëm të ndërmerrte veprime të tjera për ta eliminuar përfundimisht kërcënimin iranian, por vetëm nëse ai mbetej në pushtet.
Në anën tjetër, Eisenkot e ka akuzuar Netanyahun se po mbështetet në një fushatë të bazuar në frikësim, gënjeshtra dhe kërcënime. Ai ka thënë se është i bindur që Trump do të bashkëpunojë plotësisht me cilindo udhëheqës që zgjedhin qytetarët izraelitë.
Përgjegjësia për sulmet e 7 tetorit
Zgjedhjet po mbahen pas një prej periudhave më të trazuara në historinë e Izraelit që nga themelimi i shtetit më 1948. Sulmet e udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023, ofensiva ushtarake izraelite në Gaza dhe përçarjet e thella të brendshme kanë dominuar debatin politik.
Për shumë kundërshtarë të Netanyahut, një nga çështjet kryesore është përgjegjësia për dështimet e sigurisë që mundësuan sulmin e 7 tetorit, ditën më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit.
Mali Hajaj, punonjëse e Ministrisë së Arsimit dhe mbështetëse e Eisenkotit, ka thënë se krijimi i një komisioni kombëtar hetimor është çështja më e rëndësishme, pasi sipas saj, përmes tij mund të nisë procesi i shërimit të shoqërisë.
Ndërkaq, Lisa Tortor ka shprehur shpresën që Netanyahu të largohet nga pushteti dhe të formohet një qeveri e re, e cila, sipas saj, do të përpiqej të riparonte dëmet që ai i ka shkaktuar Izraelit dhe imazhit të tij në botë.
Por, Nof Gabay, 18-vjeçar dhe mbështetës i Likudit, ka kundërshtuar pretendimet se Netanyahu mban përgjegjësi për sulmet e 7 tetorit, duke e cilësuar atë si njeriun e duhur për shtetin e Izraelit.
“Netanyahu e menaxhoi luftën në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë ai.
Luftërat dhe bilanci i Netanyahut
Pas sulmeve të 7 tetorit, militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1.200 persona dhe morën peng 251 të tjerë. Izraeli nisi një ofensivë të gjerë ushtarake në Gaza, gjatë së cilës u shkatërrua një pjesë e madhe e territorit.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, sulmet izraelite kanë vrarë rreth 74 mijë persona.
Izraeli gjithashtu i shkaktoi humbje të mëdha Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Irani në Liban, dhe shkëmbeu sulme me Iranin. Në vitin 2025, Izraeli zhvilloi një fushatë ajrore 12-ditore kundër objekteve bërthamore iraniane, ndërsa këtë vit iu bashkua Shteteve të Bashkuara në një tjetër luftë kundër Iranit.
Eisenkot ka deklaruar se qeveria e ardhshme izraelite duhet të parandalojë Iranin që të sigurojë kapacitete bërthamore ushtarake, qoftë përmes përdorimit të forcës, qoftë përmes një marrëveshjeje diplomatike të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Formimi i qeverisë, sfida kryesore
Përveç rezultatit të zgjedhjeve, një nga sfidat kryesore do të jetë sigurimi i shumicës parlamentare. Netanyahu mund të ketë sërish nevojë për mbështetjen e liderëve të së djathtës ekstreme, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, për të formuar qeverinë.
Të dy janë përballur me sanksione nga disa vende perëndimore, të cilat i akuzojnë për nxitje të dhunës kundër palestinezëve. Megjithatë, partia e Ben-Gvirit, Fuqia Hebraike, ka shënuar rritje të mbështetjes në sondazhe.
Ndërkohë, Eisenkot ka kritikuar dhunën e kolonëve hebrenj kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, e cila është shtuar që nga viti 2023 dhe ka tensionuar marrëdhëniet e Izraelit me vendet perëndimore. Ai gjithashtu kundërshton përfshirjen e Ben-Gvirit dhe Smotrichut në qeverinë e ardhshme.
Një tjetër faktor që mund të ndikojë në rezultat është pjesëmarrja e qytetarëve të pakicës arabe të Izraelit. Një dalje e lartë e tyre në votime mund të favorizojë Eisenkotin, megjithëse ai ka përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me partitë arabe, duke përmendur mungesën e vlerave të përbashkëta.
Megjithatë, analistët shohin mundësinë që partitë arabe të mbështesin një qeveri të pakicës të udhëhequr nga Eisenkot, me synimin për ta larguar Netanyahun nga pushteti.
Përveç kësaj, disa votues tradicionalë të Likudit janë zhgënjyer nga Netanyahu, ndërsa ai vazhdon të përballet me akuza për korrupsion, të cilat i mohon në një proces gjyqësor që zgjat prej vitesh.
Nëse as Netanyahu dhe as Eisenkot nuk arrijnë të sigurojnë shumicën për formimin e qeverisë në parlamentin prej 120 deputetësh, Netanyahu mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë si kryeministër në detyrë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja vitin e ardhshëm.
“Pritshmëria ime është që shumica të jetë e ngushtë, në njërën apo tjetrën anë. Nuk do të ketë fitore dërrmuese”, ka deklaruar analisti politik izraelit Amotz Asa-El, nga Instituti Shalom Hartman.
Burimi: Dukagjini




