Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po përballet me rrezikun e humbjes së pushtetit, pasi rivali i tij kryesor, Gadi Eisenkot, pritet të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re të Izraelit.

Presidenti izraelit, Isaac Herzog, pritet t’ia dorëzojë zyrtarisht mandatin Eisenkotit të dielën, pas konsultimeve dyditore me partitë e përfaqësuara në Knesset, Parlamentin e Izraelit.
Ish-shefi i ushtrisë izraelite dhe udhëheqësi i partisë së qendrës Yashar do të ketë deri në gjashtë javë kohë për të siguruar mbështetjen e nevojshme parlamentare dhe për të krijuar një koalicion qeverisës.
Eisenkot ka siguruar mbështetjen e 67 deputetëve, përfshirë 19 nga dy partitë arabe, ndërsa Netanyahu ka marrë vetëm 46 rekomandime. Pozita e kryeministrit është dobësuar edhe më shumë pasi partia ultraortodokse United Torah Judaism, aleate tradicionale e tij, nuk pranoi ta rekomandonte për formimin e qeverisë.
Megjithatë, marrja e mandatit nuk nënkupton automatikisht largimin e Netanyahut nga pushteti. Eisenkot duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Parlament për ta kaluar formimin e qeverisë së re.
Ai synon të krijojë një “qeveri të emergjencës kombëtare”, duke bashkuar katër parti opozitare hebraike: Yashar, Together, Yisrael Beiteinu dhe Demokratët. Këto parti kanë gjithsej 48 ulëse dhe Eisenkot shpreson të sigurojë edhe mbështetjen e partive arabe.
Ndërkohë, Eisenkot ka përcaktuar katër kushte për përfshirjen e mundshme të partive arabe në qeveri: njohjen e Izraelit si shtet hebraik, demokratik, liberal dhe egalitar; respektimin e vlerave të Deklaratës së Pavarësisë; shërbimin e detyrueshëm për të gjithë qytetarët, ushtarak, kombëtar ose civil; si dhe njohjen e Hamasit si organizatë terroriste.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




