Partia Likud e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka akuzuar partitë arabe për manipulim të zgjedhjeve parlamentare në Izrael, duke kërkuar nga autoritetet nisjen e menjëhershme të një hetimi për parregullsitë e pretenduara.

Në një deklaratë pas votimeve të së martës, Likud pretendon se procesi zgjedhor është cenuar nga shkelje të rënda, përfshirë ryshfete, kërcënime, dhunë, falsifikim dhe manipulim të fletëve të votimit. Sipas partisë, këto veprime synonin të ndikonin në rezultatin e zgjedhjeve në favor të partive arabe.
Likud ka njoftuar se do t’u dorëzojë Policisë së Izraelit, Shërbimit të Sigurisë së Brendshme, Shin Bet, si dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve qindra dëshmi dhe materiale, të cilat, sipas saj, mbështesin pretendimet për shkelje në qendrat e votimit në komunitetet arabe.
Ndër pretendimet e ngritura nga partia e Netanyahut janë gjetja e mijëra zarfeve që dyshohet se përmbanin para dhe fletë votimi për partinë Ra’am, kërcënime dhe akte dhune ndaj anëtarëve të komisioneve zgjedhore, hyrja e disa votuesve njëkohësisht në kabinat e votimit, si dhe votimi me identitete të dyfishta.
Likud pretendon gjithashtu se janë evidentuar mospërputhje mes numrit të zarfeve të votimit dhe atij të votuesve të regjistruar, si dhe se janë përdorur programe kompjuterike të ndaluara për mobilizimin e votuesve.
Megjithatë, deri më tani, akuzat e ngritura nga Likud nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. Gjithashtu, nuk janë bërë publike prova që vërtetojnë se partitë arabe kanë organizuar manipulim sistematik të rezultatit zgjedhor në Izrael.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




