Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se nesër do të mbajë dy seanca plenare, ku pritet të trajtohen çmime, energjia, buxheti dhe çështje të tjera të rëndësishme për vendin.

Seanca e parë do të nisë në ora 10:00 dhe në fokus do të ketë votimin e disa propozim-rezolutave, si dhe rishqyrtimin e dekretit të Presidentes për Dhomat e Specializuara.
Pikat kryesore të seancës së parë:
Votimi i Propozim-Rezolutës nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjiri që mbeti katër muaj pa terapi dhe mungesën e barnave onkologjike.
Votimi i Propozim-Rezolutës nga mocioni përmbajtësor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Rishqyrtimi i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i rikthyer nga Presidentja e Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, seanca e dytë është paraparë të nisë nga ora 11:00, ku në rend dite figurojnë gjithsej 12 pika, përfshirë shqyrtimin e parë të Projektligjit për buxhetin e vitit 2027.
Rendi i plotë i ditës për seancën e dytë:
Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme;
Deklarimet jashtë rendit të ditës;
Pyetjet parlamentare;
Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë për masat e emergjencës për furnizimin e energjisë;
Shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027;
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Efiçiencë të Energjisë;
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore;
Procedimi i nismave legjislative të qytetarëve;
Emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës;
Zgjedhja e anëtarëve të rinj në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK);
Rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës;
Propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Parlamentar Hetimor lidhur me rastet e dhunës dhe vrasjes së Arlinda Zekajt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





