Më 25 nëntor në Zvicër dhe në mbarë botën kanë nisur aktivitetet e fushatës ndërkombëtare “16 ditë kundër dhunës ndaj grave”, e cila synon ndërgjegjësimin e shoqërisë për parandalimin dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore.

Fushata nis në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe përfundon më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Ngjyra portokalli, e njohur si simbol i kësaj nisme, përfaqëson shpresën për një të ardhme pa dhunë ndaj grave, shkruan Watson.
Në Zvicër, fushata koordinohet nga organizata feministe Frieda, ndërsa këtë vit vëmendja kryesore është përqendruar te dhuna digjitale dhe keqpërdorimi i teknologjisë për kontroll, frikësim dhe kërcënim të grave.
Ndër format e dhunës digjitale të identifikuara në kuadër të fushatës janë shpërndarja e fotografive dhe videove të rreme të krijuara me inteligjencë artificiale (deepfake), gjurmimi i personave përmes pajisjeve GPS dhe vendosja e kamerave të fshehta për mbikëqyrje pa pëlqim.
Në kuadër të kësaj nisme, mbi 300 organizata në të gjithë Zvicrën kanë organizuar aktivitete të ndryshme, përfshirë diskutime publike, fushata ndërgjegjësuese, kurse të vetëmbrojtjes dhe aktivitete kundër ngacmimeve në internet.
Në Schaffhausen është organizuar një diskutim publik për ngacmimet kibernetike dhe shqetësimet online, ndërsa në Basel dhe Aarau janë paraparë kurse të vetëmbrojtjes, transmeton Telegrafi.
Për të shënuar nisjen e fushatës, disa prej ndërtesave dhe monumenteve të njohura në Zvicër do të ndriçohen me ngjyrë portokalli.
Në Cyrih, mes tyre janë kisha St. Peter dhe ndërtesa e administratës së qytetit, ndërsa në Schaffhausen do të ndriçohet monumenti Munot.
Përmes këtyre aktiviteteve, organizatorët synojnë të thyejnë heshtjen rreth dhunës ndaj grave, të rrisin ndërgjegjësimin për format e saj dhe të nxisin reagimin e shoqërisë ndaj çdo forme të abuzimit, përfshirë atë që zhvillohet përmes teknologjisë./Telegrafi/





