Rreth 180 mijë breshka gjigante jetojnë të lira në një ishull të Seychelles, në Oqeanin Indian, duke përbërë popullsinë më të madhe të këtij lloji në botë, sipas një studimi të ri shkencor.

Bëhet fjalë për atollin Aldabra, ku një hulumtim i realizuar nga Fondacioni i Ishujve Seychelles dhe Universiteti i Exeterit ka vlerësuar se jetojnë afro 183 mijë breshka gjigante të rritura dhe gjysmë të rritura.
Ky numër është më i lartë se popullsia njerëzore e Seychelles, e cila vlerësohet të jetë rreth 135 mijë banorë.
Studimi u bazua në analizimin e të dhënave të mbledhura gjatë pesë vjetëve, nga viti 2018 deri më 2022. Studiuesit përdorën metoda statistikore për të llogaritur edhe breshkat që mund të mos jenë vërejtur gjatë numërimeve në terren, veçanërisht ato të fshehura mes bimësisë së dendur.
Rezultatet tregojnë se popullata e këtyre kafshëve ka qenë relativisht e qëndrueshme gjatë periudhës së analizuar. Megjithatë, studiuesit theksojnë se shifra e re nuk do të thotë domosdoshmërisht se numri i breshkave është dyfishuar krahasuar me vlerësimet e mëparshme, pasi metodat e vjetra të numërimit mund të kenë lënë pa përfshirë shumë individë.
Rikthimi i kësaj popullate konsiderohet një sukses i rëndësishëm në mbrojtjen e natyrës. Gjatë shekullit XIX, shfrytëzimi i tepruar i breshkave kishte bërë që numri i tyre në Aldabra të binte në më pak se 1,000 individë.
Mbrojtja e zonës u forcua kur atolli u shpall rezervat i rreptë natyror në vitin 1981, ndërsa një vit më vonë u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Pavarësisht rezultateve pozitive, ekspertët paralajmërojnë se breshkat vazhdojnë të përballen me kërcënime, përfshirë thatësirat më të gjata, rritjen e nivelit të detit dhe praninë e kafshëve invazive, si macet e egra dhe minjtë, të cilët mund të dëmtojnë vezët dhe breshkat e sapolindura.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




