Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës lidhur me ndalimin e vendosjes së muralit kushtuar Nënë Terezës në kryeqytet, ndërsa Ministria e Ekonomisë ka reaguar duke thënë se ndërhyrjet në murin e jashtëm të objektit të saj janë bërë pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin.

Rama, në një reagim publik, kishte thënë se Komuna e Prishtinës kishte dhënë leje për vendosjen e muralit dhe kishte kërkuar nga Policia të bëjë të ditur se kush e dha urdhrin për ndalimin e punimeve, pasi, sipas tij, policët kishin deklaruar se urdhri kishte ardhur “nga lart”.
Ai kishte kërkuar gjithashtu sqarime për bazën ligjore të ndërhyrjes dhe nëse kishte pasur presion politik mbi Policinë.
Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë, në një reagim ndaj asaj që i cilësoi si informata të pasakta të publikuara në media, ka dhënë versionin e saj për zhvillimet.
Sipas Ministrisë, Komuna e Prishtinës ka dhënë pëlqim më 28 shtator 2026 për realizimin e projektit në një objekt që nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të saj, pa konsultuar apo njoftuar paraprakisht Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
Ministria pretendon se ky pëlqim është i kundërligjshëm dhe nuk është nënshkruar nga drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës.
Ajo thekson se më 20 nëntor, përfaqësues të Komunës, përmes një kontraktori privat, kanë ndërhyrë në murin e objektit pa vendosur masa mbrojtëse, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve, larguar një baner informues të Ministrisë dhe shkaktuar dëme materiale.
Ministria bën të ditur se, pavarësisht vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve, përfaqësues të Komunës janë paraqitur sërish të premten, më 27 nëntor, rreth orës 06:00, me makineri ngritëse për të vazhduar punimet.
Pas njoftimit nga Ministria, Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhe i ka ndaluar punimet.
Në reagim, Ministria e Ekonomisë ka theksuar se nuk e kundërshton realizimin e veprës artistike kushtuar Nënë Terezës, por se kundërshtimi i saj lidhet me mënyrën e ndërhyrjes në objekt, mungesën e koordinimit ndërinstitucional dhe respektimin e vendimit të Prokurorisë.
“Çështja në fjalë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e veprës artistike, por me mënyrën e ndërmarrjes së veprimeve nga Komuna e Prishtinës përmes kontraktuesve, mungesën e komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Në fund, Ministria i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që të respektojë vendimin e Prokurorisë deri në përfundimin e hetimeve dhe marrjen e një vendimi përfundimtar gjyqësor.





