Ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare stilisti i njohur britanik i flokëve dhe sipërmarrësi i produkteve të bukurisë, John Frieda.

Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur nga salloni i tij i flokëve përmes një postimi në Instagram, ku thuhej se ai u nda nga jeta paqësisht, i rrethuar nga familjarët.
Frieda ishte një nga emrat më të njohur në industrinë e bukurisë dhe gjatë karrierës së tij punoi me shumë figura të famshme, përfshirë princeshën Diana, Madonna-n, Nicole Kidman, Scarlett Johansson, Jackie Kennedy dhe Mick Jagger, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Ai u bë veçanërisht i njohur për stilin karakteristik të flokëve që krijoi për aktoren Joanna Lumley në vitin 1976, si dhe për linjën e produkteve të flokëve që mbajnë emrin e tij. Një nga produktet më të suksesshme ishte serumi Frizz-Ease, i krijuar në vitin 1988.
Në vitin 1976, ai hapi sallonin e tij në Londër, i cili shpejt u bë një destinacion i preferuar për personazhet e njohura. Më vonë, ai ndërtoi një markë ndërkombëtare të produkteve të bukurisë, të cilën në vitin 2002 e shiti te kompania japoneze Kao për 450 milionë dollarë.
Frieda ishte i martuar me këngëtaren Lulu nga viti 1977 deri më 1990, me të cilën pati një djalë. Më vonë krijoi familje me Avery Agnelli, me të cilën pati edhe dy fëmijë.
Pas lajmit për vdekjen e tij, shumë emra të njohur të industrisë së bukurisë kanë shprehur ngushëllimet dhe kanë kujtuar kontributin e tij në këtë fushë./Klankosova.tv




