Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka njoftuar për rregullimin e tri këndeve të lojërave në lagjen Bregu i Diellit, me qëllim të krijimit të hapësirave më të përshtatshme për fëmijët dhe familjet.

Sipas njoftimit të saj, në këto hapësira janë renovuar lodrat dhe janë rregulluar ambientet për rekreacion, duke përmirësuar kushtet për argëtimin e më të vegjëlve.
Musmurati ka bërë të ditur se këndet e lojërave ndodhen pranë shkollës “Ismail Qemali”, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” dhe në Rrugën B, ku hapësira tashmë është e gatshme për përdorim.
Përmes këtij njoftimi, ajo ka theksuar vazhdimin e punës për krijimin e hapësirave më të bukura dhe funksionale për banorët e kryeqytetit. /Telegrafi/




