Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kritikuar raportin lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, duke e vënë në pikëpyetje mënyrën se si është emërtuar rasti në dokumentin që, sipas saj, duhet të sqarojë dështimet institucionale.

Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka deklaruar se edhe pas 72 orësh, raporti vazhdon ta përshkruajë rastin në titull si “dhunë në familje”, në vend që ta cilësojë qartë si vrasje.
“Donikë, Arlinda është vrarë. Nuk jeton më. Dhe raporti që duhet të sqarojë dështimet institucionale ende nuk e thotë qartë, që në titull, se bëhet fjalë për një vrasje”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka theksuar se Arlinda kishte kërkuar mbrojtje sa ishte gjallë, ndërsa ka kërkuar që rasti të emërtohet qartë dhe të ketë llogaridhënie për dështimet e mundshme institucionale.
Musliu ka kritikuar gjithashtu atë që e ka cilësuar si mungesë të përgjegjësisë politike, duke thënë se ajo nuk mund të fshihet pas raporteve dhe konferencave për media.
Në fund të reagimit, deputetja e PDK-së i ka kërkuar dorëheqjen ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
“Dorëheqje, Donikë! Sot. Jo nesër, në konferencë!”, ka përfunduar Musliu.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




