Gjatë diskutimit, ministri Muja theksoi se Kosova ka potencial të konsiderueshëm për të ndërtuar një sektor bujqësor konkurrues në rajon dhe në tregjet evropiane. Ai nënvizoi se zhvillimi i qëndrueshëm kërkon investime në të gjithë zinxhirin e vlerës, nga prodhimi primar bujqësor, te grumbullimi dhe përpunimi fillestar, përpunimi industrial dhe eksporti i produkteve me vlerë të shtuar.
“Synimi ynë është që Kosova jo vetëm të prodhojë më shumë produkte bujqësore, por edhe t’i grumbullojë, ruajë, përpunojë dhe eksportojë ato. Me investime të orientuara mirë dhe bashkëpunim me sektorin privat, brenda katër viteve të ardhshme mund të ndërtojmë zinxhirë konkurrues të prodhimit dhe përpunimit ushqimor”, theksoi ministri Muja.

Në këtë drejtim, ministri identifikoi si sektorë strategjikë prodhimin e mishit të viçit dhe të pulës, qumështin, pemëtarinë, perimet dhe drithërat. Ai theksoi nevojën për investime në fermat blegtorale, serra moderne, sisteme të ujitjes, plantacione komerciale, kapacitete për grumbullimin dhe ftohjen e qumështit, depo frigoriferike, qendra për klasifikimin dhe paketimin e pemëve e perimeve, si dhe në industrinë e përpunimit të mishit, qumështit, drithërave, frutave dhe perimeve.
Ministri Muja veçoi rëndësinë e zgjerimit të prodhimit të pemëve dhe perimeve gjatë gjithë vitit, duke theksuar se përqendrimi i prodhimit vendor gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator krijon varësi nga importet në pjesën tjetër të vitit. Në kuadër të orientimeve të ardhshme zhvillimore, ministri prezantoi tri fusha të ndërlidhura të investimeve: rritjen dhe modernizimin e prodhimit primar, zhvillimin e infrastrukturës së grumbullimit dhe përpunimit fillestar, si dhe zgjerimin e kapaciteteve të përpunimit industrial. Këto investime synojnë të rrisin produktivitetin, të zvogëlojnë humbjet pas vjeljes, të krijojnë vende të reja pune dhe të mundësojnë që një pjesë më e madhe e vlerës së produkteve bujqësore të mbetet në ekonominë e Kosovës.
Ministri Muja prezantoi gjithashtu pesë prioritetet kryesore të reformave institucionale: zhvillimin e kapaciteteve laboratorike dhe certifikuese për sigurinë ushqimore dhe eksportin; konsolidimin e tokës bujqësore; zgjerimin e sistemeve të ujitjes dhe përdorimin e farërave të certifikuara; riorganizimin e shërbimeve këshillimore për fermerët; si dhe digjitalizimin e shërbimeve të Ministrisë. Ai bëri të ditur se nga viti 2027 synohet lansimi i një skeme të re grantesh, krahas reformimit të skemave ekzistuese, me orientim drejt investimeve produktive, zhvillimit të zinxhirëve të vlerës dhe forcimit të mbështetjes për gratë dhe të rinjtë në bujqësi.
Duke folur për tregtinë rajonale, ministri Muja ngriti çështjen e barrierave me të cilat përballen prodhuesit kosovarë, duke kërkuar trajtim të barabartë dhe zbatim të marrëveshjeve rajonale. Ai theksoi se përmbushja e standardeve evropiane, forcimi i certifikimit, investimet në arsimin profesional dhe aftësimi i fuqisë punëtore janë parakushte për rritjen e konkurrueshmërisë dhe zgjerimin e eksporteve.
Në përmbyllje, ministri Muja theksoi se transformimi i bujqësisë së Kosovës kërkon partneritet të qëndrueshëm ndërmjet institucioneve, fermerëve, industrisë përpunuese dhe partnerëve ndërkombëtarë, me synimin që Kosova të kalojë nga prodhimi dhe eksporti i lëndëve të para drejt një ekonomie agro-ushqimore që prodhon, përpunon dhe eksporton produkte me vlerë më të lartë.
Burimi: RTKLive




