Mourinho para ‘El Clasico-s’: Kjo ndeshje është krejt ndryshe

Mourinho para ‘El Clasico-s’: Kjo ndeshje është krejt ndryshe

Mourinho para ‘El Clasico-s’: Kjo ndeshje është krejt ndryshe

Trajneri portugez ka nënvizuar se “El Clasico” është një ndeshje e veçantë, me jehonë globale, ndërsa ka folur edhe për humbjen e Barcelonës ndaj Paris Saint-Germainit, cilësitë e Lamine Yamalit, trajnerin Hansi Flick dhe diskutimet rreth arbitrimit.

“Jemi në një ritëm të mirë, po luajmë mirë dhe po shënojmë gola. Por, në ‘El Clasico’, ajo që ke bërë më parë nuk ka rëndësi dhe nuk ndikon aspak. Është vërtet diçka krejt tjetër”, deklaroi Mourinho.

Sponsor 3M Express

Ai theksoi se kjo përballje ka një peshë të veçantë në futbollin botëror, pavarësisht se kush i drejton dy skuadrat.

“’El Clasico’? Ka të paktën dy të tilla në sezon. Nuk ka rëndësi kush është trajneri, por përmasat globale të kësaj ndeshjeje. Ka edhe përballje të tjera të rëndësishme në mbarë botën, por ‘El Clasico’ është i vetmi dhe i pashoq. Bota ndalon së lëvizuri”, u shpreh portugezi.

I pyetur nëse humbja e Barcelonës ndaj Paris Saint-Germainit mund të ndikojë në gjendjen psikologjike të katalanasve para kësaj sfide, Mourinho nuk beson se një rezultat i vetëm mund të ndryshojë shumë gjëra.

“Nuk besoj se humbja e një ndeshjeje do të ndryshojë gjendjen e tyre mendore apo vetëbesimin. As mua nuk do të më kishte ndryshuar, nëse do të kishim humbur 1:4 ndaj Leipzigut”, tha ai.

Mourinho gjithashtu u shpreh se krahasimet mes skuadrave që ndodhen në faza të ndryshme të zhvillimit nuk janë të drejta. Sipas tij, ekipi i tij është ende larg konsolidimit të plotë, pasi ka vetëm tre muaj që punon së bashku.

“Nëse një javë më parë njerëzit mendonin se do të pësonim një humbje të thellë, ka gjasa që ende ta mendojnë këtë. Fakti që flitet mirë për Barcelonën nuk më prek, sepse nuk ka të bëjë fare me mua. Ka momente që meritojnë lëvdata, pasi ata bëjnë gjëra vërtet të mira. Në rastin tonë, na shohin sikur jemi një skuadër e formuar plotësisht, por jemi ende shumë larg kësaj faze. Kemi vetëm tre muaj që punojmë së bashku, duke përfshirë edhe fazën përgatitore, kur lojtarët vinin gradualisht, si dhe periudhën e pushimit. Jemi ende në fazën e hershme dhe larg të qenit një skuadër e konsoliduar”.

“Të krahasosh një ekip që ndodhet në këtë fazë me një tjetër që luan së bashku prej vitesh, nuk më duket e drejtë”, theksoi Mourinho.

Një pjesë e konferencës iu kushtua edhe yllit të Barcelonës, Lamine Yamal. Mourinho vlerësoi cilësitë e sulmuesit të ri, por bëri të qartë se skuadra e tij nuk do ta ndryshojë mënyrën e lojës vetëm për t’iu përshtatur një kundërshtari të caktuar.

“A ka ndonjë plan specifik për të? Të gjithë janë të mirë, është e njëjta situatë si te Real Madridi. Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe lojtarët e shkëlqyer meritojnë respekt. Por, ta respektosh dikë është një gjë, ndërsa të ndryshosh planet, strukturën apo të braktisësh thelbin e identitetit tënd është diçka tjetër. Ne nuk do ta bëjmë këtë, as për të dhe as për askënd tjetër, pavarësisht se sa e jashtëzakonshme mund të jetë cilësia e tyre”, deklaroi Mourinho.

Mourinho foli me respekt edhe për trajnerin e Barcelonës, Hansi Flick, duke vlerësuar punën e tij.

“Është një trajner i madh dhe po bën një punë të shkëlqyer. Çfarë dëshironi të them tjetër?”, u përgjigj shkurt portugezi.

Sa i përket arbitrimit, ai tha se emri i gjyqtarit nuk është shqetësimi i tij kryesor, por mënyra se si zbatohen rregullat.

“Emri i gjyqtarit nuk më shqetëson kurrë. Nisem nga parimi se gjyqtari është i mirë. Ajo që më shqetëson është fakti se rregullat po shkelen. Para tri javësh doli një emër, tani një tjetër, por askush brenda klubit nuk më ka thënë se nuk është ky gjyqtari”, u shpreh ai.

Trajneri portugez nuk pranoi të jepte detaje për qasjen taktike të skuadrës së tij, për strukturën e lojës apo për futbollistët që do të aktivizohen nga minuta e parë.

“Nuk do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Bëni një pyetje tjetër. Sa u përket planeve, kush do të luajë dhe strukturës, nuk do të përgjigjem”, deklaroi ai.

I pyetur nëse do të shfrytëzojë dobësitë e Barcelonës në mbrojtje për të sulmuar më shumë, Mourinho reagoi me humor: “Je i zgjuar, por unë nuk jam budalla!”, tha ai duke qeshur.

Portugezi mohoi gjithashtu se ndien adrenalinë më të madhe për faktin se ndeshja zhvillohet në “Camp Nou”, duke theksuar se për të mbetet një përballje ndaj një kundërshtari të nivelit shumë të lartë.

Në fund, Mourinho u pyet edhe nëse mjekra e tij e re lidhet me ndonjë bestytni, pasi ka kaluar një muaj me të dhe rezultatet kanë qenë pozitive.

“Nuk jam aspak besëtyt. A dukem tmerrshëm me mjekër? A duhet ta heq?”, tha ai me shaka, duke shtuar se është një nga të paktët njerëz në futboll që nuk beson në bestytni.

“El Clasico” pritet të jetë një nga ndeshjet më të ndjekura të futbollit botëror, me Barcelonën dhe rivalin e saj të përjetshëm që synojnë të dëshmojnë forcën në një përballje ku, siç theksoi edhe Mourinho, rezultatet e mëparshme nuk garantojnë asgjë. 

Burimi: RTKLive

Lexo edhe

20 vjet karrierë dhe një album i ri, Dafina Zeqiri ndan pamje nga xhirimet

20 vjet karrierë dhe një album i ri, Dafina Zeqiri ndan pamje nga xhirimet

250 000 protestues kërkojnë garanci për pensionet shtetërore

250 000 protestues kërkojnë garanci për pensionet shtetërore

Momenti kur dy aeroplanë ushtarakë përplasen në ajër gjatë stërvitjeve në Filipine

Momenti kur dy aeroplanë ushtarakë përplasen në ajër gjatë stërvitjeve në Filipine

Mourinho para ‘El Clasico-s’: Kjo ndeshje është krejt ndryshe | Momenti