Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka deklaruar se vendi nuk do të dalë nga gjendja e tanishme “as luftë, as paqe” pa u përmbushur kërkesat e Teheranit, duke e bërë të qartë se përfundimi i konfliktit varet nga plotësimi i kushteve të vendosura nga udhëheqja iraniane.

Gjatë një takimi me Mohsen Rezaein, zyrtar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, Khamenei theksoi se Irani duhet të mbrojë të drejtat dhe interesat e qytetarëve të tij, si dhe të vazhdojë mbështetjen për atë që Teherani e quan “Fronti i Rezistencës”.
Ai diskutoi gjithashtu për sigurinë rajonale, menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit dhe forcimin e marrëdhënieve me vendet fqinje, duke theksuar nevojën për një strategji të qartë dhe afatgjatë, raportojnë mediat.
Khamenei vlerësoi se rezistenca e popullit iranian ka dobësuar kundërshtarët e vendit, ndërsa u bëri thirrje institucioneve që të komunikojnë në mënyrë aktive me qytetarët dhe t’i përfshijnë ata në mbrojtjen e vendit.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur Teherani po shqyrton kushtet për rifillimin e negociatave me Shtetet e Bashkuara.
Ali Bagheri Kani, zyrtar i sekretariatit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, ka deklaruar se Uashingtoni duhet të përmbushë shtatë kushte përpara se Irani të shqyrtojë mundësinë e rikthimit në tryezën e bisedimeve. Lista e plotë e këtyre kushteve nuk është bërë publike.
Ndër kërkesat e përmendura më herët nga zyrtarët iranianë janë përfundimi i luftës në të gjitha frontet, lirimi i aseteve iraniane të ngrira dhe heqja e bllokadës detare amerikane.
Mojtaba Khamenei mori drejtimin e Iranit pas vrasjes së babait të tij, ajatollahut Ali Khamenei, në sulmet amerikano-izraelite në fund të shkurtit. Që nga emërimi i tij në mars, ai nuk është shfaqur publikisht. /Telegrafi/




