Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ndarë 150 mijë euro për përfundimin e punimeve në Qendrën e Kompostimit në Kamenicë.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi, përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar edhe për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me nënkryetaren e Kamenicës, Arta Bajralija.
“Qendra e Kompostimit në Kamenicë do të bëhet! Kemi ndarë 150 mijë euro nga MMPH, për përfundimin e punimeve në Qendrën e Kompostimit në Kamenicë”, ka shkruar Pacolli-Dalipi.
Sipas saj, ky investim synon të përmirësojë menaxhimin e mbeturinave organike dhe të kontribuojë në reduktimin e sasisë së mbeturinave.
“Ky investim do të ndihmojë në menaxhimin më të mirë të mbeturinave organike, reduktimin e mbeturinave dhe krijimin e një mjedisi më të pastër për qytetarët e asaj zone”, ka theksuar ministrja.
Ajo ka bërë të ditur se memorandumi për realizimin e këtij investimi është nënshkruar me nënkryetaren e Komunës së Kamenicës, Arta Bajralija. /Telegrafi/




